Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 15:57

Shkup – Riafirmimi i perspektivës evropiane si alternativë e vetme, zhvillimi ekonomik dhe afirmimi i vlerave dhe frymës së Marrëveshjes së Ohrit janë tre shtyllat kryesore të programit zgjedhor të partisë shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

Këtë në takim me gazetarët e ka bërë të njohur sekretari i përgjithshëm i BDI-së dhe shef i shtabit zgjedhor, Abdilaqim Ademi së bashku me anëtarët e shtabit zgjedhor Fatmir Besimi dhe Ermira Mehmeti-Devaja.

“Aleanca jonë merr për bazë pikërisht Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, e cila angazhohet apo promovon arritjen e një balanci politik apo ndëretnik, mes komunitetit dominant që janë maqedonasit dhe shqiptarëve po komuniteteve tjera”, ka thënë deputetja Ermira Mehmeti-Devaja.

Sipas Mehmeti-Devaja, BDI-ja në këto zgjedhje po përgatitet të paraqitet me aleancë më të gjerë, e cila del nga fryma e Marrëveshjes së Ohrit, dhe hapi i parë do të ishte tejkalimi i barrierave etnike dhe gjuhësore në shoqëri.

“Aleanca e këtillë në esencë e ka përcaktimin euroatlantik dhe integrues, e cila angazhohet për arritjen e balansit politik dhe etnik midis bashkësisë dominante – maqedonasve, shqiptarëve dhe bashkësive të tjera etnike”, ka thënë ajo. Sipas saj, BDI, tani do të garojë karshi tre subjekteve politike shqiptare dhe ideja për një opozitë të bashkuar për t’i konkurruar BDI-së, e cila opozitë do të bashkonte edhe rivalët më të ashpër politik, të cilët realisht kanë një bekgraund të përbashkët politik, “vetëm dëshmon apo flet për fuqinë që e ka BDI-ja”.

“Kjo dhe për faktin se është konkurrenti kryesor për të fituar edhe një mandat qeverisës në Qeverinë e ardhshme. Të gjitha sondazhet tregojnë se BDI-ja, e vetme është konkurrencë ndaj të tre subjekteve politike të bashkuara në një”, ka thënë më tej Mehmeti.

Ndryshe, nga partia e Ahmetit presin, zgjedhje korrekte dhe demokratike. Si parti, thonë, se veç më kanë dëshmuar se kanë vullnet politik të jenë menaxhues të suksesshëm të një procesi demokratik, në të cilin presin fitore, në bazë të, siç theksojnë, “të gjitha anketave dhe hulumtimeve të opinionit publik”.