Lajme Shqip Tuesday, 05 July 2011 17:05

Shkup – Si duket partia fituese shqiptare në zgjedhjet e 5 qershorit, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka dilema me emrat e njerëzve që do të jenë në ekzekutiv. Përzgjedhja e këtyre emrave, pra ka shtuar dilemat në partinë e Ahmetit. Mbledhja e kryesisë së partisë mëson “Lajmeshqip.com”, është shtyrë, edhe pse parashikohej që të mbahej gjatë fundjavës së kaluar. Nga kjo parti bëjnë të ditur se për momentin nuk flitet për ndonjë datë sa i takon mbledhjes së kryesisë. Përveç ministrive me të cilat do të drejtojë BDI dhe që janë bërë publike, drejtoritë ende nuk janë përcaktuar dhe qëndrojnë si çështje të hapura mes dy partnerëve. Heshtja nga të dy subjektet politike, që prej fillimit të negociatave vazhdon, edhe pse dy grupet e punës prej disa kohësh nuk janë takuar. Takimet që ishin më intensive në fillimet e tyre, u rralluan, duke i përligjur sa me shërbimet jashtë shtetit të anëtarëve të saj, por edhe të agjendave të ngjeshura të tyre. Jo zyrtarisht, versionet e bëra publike herë pas here kanë nxjerrë në skenë emra të ndryshëm, ose më shumë kombinime për të njëjtin post.

Dilemat për emërimet në disa prej funksioneve më të larta ende nuk kanë gjetur zgjidhje në BDI, të cilat janë shtuar edhe pas refuzimeve të disa kandidaturave që janë bërë nga partneri bashkëqeverisës, por edhe të pakënaqësive brenda subjektit dhe degëve. Zyrtarisht, BDI thotë se emrat e lakuara në opinion janë spekulative, pasi vendimi ende nuk është marrë nga organet më të larta drejtuese të partisë. Shqyrtimi i kandidaturave do të jetë një proces, i cili ka shkaktuar edhe ngecjen e deklarimeve publike, edhe pse deklarohej se prezantimi i Qeverisë së re kishte premisa që të bëhej shumë kohë përpara afateve të përcaktuara. “Sipas marrëveshjes së arritur BDI do të marrë dy vende zëvendës-ministrash për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit  si dhe për euro-integrime, ndërsa nga Ministritë – Mbrojtjen, Drejtësinë, Ekonominë, Mjedisin Jetësor  dhe Planifikimin Hapësinor  si dhe Vetëqeverisjen Lokale”, ka thënë ditë më parë zv/kryeministri Abdilaqim Ademi. Ai ka potencuar se negociatat vazhdojnë për harmonizimin e programeve të partive fituese në zgjedhje për një program të përbashkët të Qeverisë, si dhe për ndarjen e vendeve të tjera në administratën shtetërore, gjegjësisht drejtorët e fondeve, agjencive dhe të ngjashme.