Lajme Shqip Thursday, 21 July 2011 16:03

Shkup – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), në mbledhjen e të mërkurës mbrëma, të kryesisë Qendrore në Tetovë ka caktuar emrat e zëvendësministrave të cilët i kanë takuar kësaj partie.

Në bazë të kulaçit qeveritar, partia shqiptare do të ketë katër zëvendës ministra. Burime të larta pranë partisë së Ahmetit kanë konfirmuar se kjo parti ka caktuar tre nga katër emrat e zëvendësministrave. Ish ministri i punës dhe Politikës Sociale, Xhelal Bajrami është nominuar për zëvendësministër të Punëve të Brendshme (MPB), ish koordinatori i grupit parlamentar, Tahir Hani për zv/ministër në Transport dhe Lidhje (MTL), ndërsa ish-deputeti Safet Neziri do të jetë zëvendësministri i ri i Arsimit, i cili vjen në vend të Lidita Qazimit.

BDI, madje, ende nuk ka caktuar emrin e zëvendës ministrit të financave. Sipas të gjitha paralajmërimeve posti i zëvendësit të financave do t’i takojë komunës së Likovës. Si një ndër pretendentët kryesorë përmendet emri i ish kryetarit të Komunës, Beqir Saqipi. Në bazë të ndarjeve ministrore, partia shqiptare ka fituar edhe pesë poste të sekretarëve shtetërorë dhe atë në ministrinë e Bujqësisë, Kulturës, Sekretariatin për implemnetimin e MO-së, atë për Shoqëri Informatike dhe në atë të shëndetësisë.

Ndërkohë, në bazë të kulaçit qeveritar, BDI ka fituar pesë poste ministrash dhe dy të zëvendëskryeministrave. Zëvendëskryeministër për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit do të jetë Musa Xhaferi, me Euro-integrimet do të udhëheq, Teuta Arifi, me Mbrojtjen Fatmir Besimi, me Ekologjinë Abdilaqim Ademi, me Drejtësinë Blerim Bexheti dhe me Pushtetin lokal, Nevzat Bejta.