Lajme Shqip Saturday, 14 May 2011 08:32

Shkup – Liderët partiakë e kryen atë që u kërkua nga faktori ndërkombëtar, nënshkruan se do të sillen mirë gjatë zgjedhjeve të 5 qershorit. Por, sa në fakt është e besueshme se këto parti, premtimet për zgjedhje të drejta dhe demokratike do t’i përmbushin, duke patur parasysh praktikën e deritanishme me zgjedhje të dhunshme madje dhe me viktima. Analistët janë skeptikë, sipas tyre, nënshkrimi bëhet për sy e faqe ndaj qytetarëve dhe faktorit ndërkombëtar. “Nënshkrimi i Kodeksit është kryesisht një fasadë e partive politike nën presionin e faktorit ndërkombëtar i cili kishte një numër të madh të përfaqësuesve aty, ky akt nuk mund të merret si diçka serioze, sepse partitë politike nuk e kanë mendjen të heqin dorë nga ajo që bëjnë, ku normalisht çdo herë akuzojnë njëra tjetrën për dhunë dhe kështu amnistohen nga përgjegjësia.” ka thënë analisti politik Mersel Bilali. Sipas tij edhe këto zgjedhje parashikohen të jenë me parregullsi dhe tensione.”E tërë periudha që pason, fushata parazgjedhore, vetë zgjedhjet dhe pas saj do të ketë tension të madh dhe konflikte, dhunë, sepse bëhet fjalë për rënien e një regjimi totalitar, të cilët jo gjithmonë largohen në mënyrë demokratike. Madje afera e fundit e VMRO-së me listat tregon se ata tash më shërbehen me kërcënime presione dhe manipulime të qytetarëve” ka thënë Bilalli. Në të njëjtën linjë mendimi ka qëndruar edhe profesori universitar Jove Kekenovski. “Absolutisht nuk jam i sigurt se ajo që e kanë nënshkruar partitë do të respektohet deri në fund sepse bazuar në praktikat e më hershme e kemi parë si thyhen rregullat nga këto kodekse qëllimmira. Për fat të keq, jam skeptik se do të ndryshojë ndonjë gjë në komunikimin politik të partive tonë në këtë periudhë të tensionuar.” ka vlerësuar profesori universitar Jove Kekenovski. Megjithatë, për të është shenjë e mirë që në bllokun e partive politike shqiptare këtë radhë nuk ka shumë përplasje si që ka pasur më herët.”Tani për tani partitë shqiptare janë shembull për ata maqedonase sa i përket mënyrës së sjelljes së tyre, janë të qeta dhe nuk kanë përplasje me shumë tension si ata maqedonase. “ka thënë Kekenovski duke theksuar se është turp që në shekullin 21 partitë tona të merren si fëmijë dhe të disiplinohen nga faktori ndërkombëtar, ndërsa sipas tij liderët janë ata të cilët duhet të ulin topin dhe të jenë më racional, më pas të tjerët do të ndikohen nga to. Ndërkaq, për Artan Sadikun, është mashtrim secili nënshkrim nga liderët partiakë të cilët vetë janë fajtorë për situatën jodemokratike; ”Fakti që liderët partiak duhet të ulen në tavolinë para bashkësisë ndërkombëtare dhe të zotohen për zgjedhje të lira, tregon që në parim s’e dyshimi themelor është që zgjedhjet janë jo të lira dhe prandaj ekziston nevoja që çdo herë të kryhet një ceremoni e cila duhet ta shpëtojë faqen e demokracisë. Duke pasur këtë fakt parasysh, konkludojmë që shoqëria e Maqedonisë dhe sistemi i vendosur akoma nuk e kanë përqafuar thelbësisht demokracinë. Prandaj asnjë nënshkrim, marrëveshje apo zotim i liderëve partiak, që janë fajtorët kryesorë për këtë rezultat anti-demokratik në Maqedoni, nuk ka se si të shihet ndryshe përveçse një mashtrim paraprak për zgjedhjet jo të lira që do të pasojnë. Në një vend me mendësi të tillë kolektive liria as që mund të kuptohet në totalitetin e saj, e le më të funksionalizohet kuptimi i saj.” ka bërë me dije Sadiku. Sipas tij, në shtetet ku demokracia është ngritur në nivel të parimit themelor shoqëror dhe shtetëror, zgjedhjet janë gjithnjë ngjarje të rregullta dhe përparimtare, sepse supozohet që qytetarët në demokraci gjithmonë tentojnë progresin. Ndryshe, edhe në zgjedhjet e kaluara liderët kanë nënshkruar Kodekse për zgjedhje të lira dhe demokratike. Në vitin 2006 motoja e Kodeksit ishte; “Mundemi dhe duhet” në 2009-n “Mos luaj me ardhmërinë” ndërsa këtë vit ”Çfarë gjurme do të lëmë?” Zgjedhje të drejta 2011. Megjithatë, zgjedhjet e vitit 2008 ishin të karakterizuara si më të dhunshmet deri më tani ku kishte dhe viktima. Andaj, Komisioni Evropian në raportin e vitit 2009 për Maqedoninë, e shënoi dhe një kriter plotësues që shteti duhet të plotësojë në kuadër të kritereve politike për tu bërë anëtare në familjen evropiane e ajo është zgjedhje të lira dhe demokratike, pa presione dhe kërcënime në çfarë do baze.