Lajme Shqip Tuesday, 19 April 2011 13:03

Shkup – Biznesmeni i njohur Kujtim Aligega është kandidat për deputet i diasporës shqiptare të Maqedonisë. Kandidatura e tij ka gjetur mbështetjen e shumë veprimtarëve, intelektualëve, biznesmenëve dhe shoqatave atdhetare nga diaspora shqiptare në Evropë.

Ai ka lindur në vitin 1958 në Gostivar dhe është anëtar i një familjeje intelektualësh të këtij qyteti, veprimtar dhe biznesmen i shquar shqiptar në Evropë, pronar i kompanisë së fluturimeve “SWiss-Mac” në Zurich dhe Gostivar.

Aligega është i njohur për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në organizimet politike të diasporës shqiptare gjatë viteve të ‘90-ta, gjatë luftës së Kosovës dhe konfliktit të armatosur në Maqedoni, si dhe për ndihmesën e tij të vazhdueshme në shumë forma për refugjatët e azilantët shqiptarë në Zvicër e gjetkë.

Së fundmi ka qëndruar në selinë e Demokracisë së Re (DR), ku ka realizuar takim me kryetarin e partisë, Imer Selmani. Në këtë takim, ai është njoftuar me programin e DR-së dhe ka prezantuar para Selmanit, programin e tij për diasporën shqiptare nga Evropa, i cili kryesisht ka të bëjë me, “përmirësimet dhe lehtësimet e qarkullimit të lirë të diasporës, krijimit të kushteve më të volitshme për investime të tyre në Maqedoni dhe kthimin e tyre në vendlindje”. Bashkëbiseduesit kanë arritur në ujdi se kandidatura e një veprimtari, bamirësi dhe biznesmeni të suksesshëm shqiptar nga diaspora siç është Aligega, “është e mirëseardhur për partitë shqiptare, sidomos për DR-në”.

Ndërkohë, takime të nivelit të tillë, ai do të realizojë edhe me partitë tjera shqiptare.