Lajme Shqip Saturday, 30 April 2011 10:43

Shkup – Në Akademinë Diplomatike, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë (MPJ), pas kalimit me sukses të gjashtë provimeve kanë marrë titullin diplomat 20 të rinj shqiptarë, nga gjithsej 62 diplomatë.

Sekretari Shtetëror pranë MPJ-së të Maqedonisë, Abdulkadar Memedi ka thënë se ky sukses i shënuar është edhe një dëshmi se të punësuarit shqiptar në MPJ nuk janë vetëm për të plotësuar numra dhe përqindje, “por edhe për të dëshmuar se posedojnë cilësi për të zhvilluar një diplomaci të suksesshme”.

“Pasi e kemi rrumbullakësuar numrin e përgjithshëm të shqiptarëve në MPJ siç e parasheh edhe Marrëveshja e Ohrit, tani jemi duke bërë kualifikimin e shqiptarëve me titujt diplomatik. Shkalla e parë drejt një diplomati të karrierës është kaluar, ndërkaq tani krijohen kushtet për mundësi të reja. Prandaj me këtë veprim dërgojmë porosi të qartë se shqiptarët nuk janë në MPJ vetëm për të plotësuar përqindje, por janë diplomatë cilësor që ushtrojnë me nder punën e tyre”, ka thënë Memedi.

Madje, sekretari Memedi personalisht ka uruar dhe përgëzuar të gjithë ata të cilët iu nënshtruan këtyre provimeve, për suksesin e shënuar dhe interesin e treguar, duke i këshilluar, se, “të jesh një diplomat i suksesshëm do të thotë shumë njohuri, shumë angazhim dhe ballafaqim me çdo sfidë”.

Pasi të gjithë 20 të punësuarit shqiptar me sukses të lartë kishin kaluar 6 provimet e parapara në kuadër të Akademisë Diplomatike të MPJ të Maqedonisë tani më i plotësojnë të gjitha të drejtat e një diplomati të mirëfilltë. Njëherësh kjo mirënjohje e diplomatit ose diplomates të re më të mire, siç ka pohuar sekretari Memedi, është edhe një motiv shtesë për 20 nëpunësit tjerë të rinj shqiptar të cilët kishin ardhur rreth para një muaji në MPJ, para të cilëve është e ardhmja e ndritshme në diplomaci. Aktualisht në MPJ janë të punësuar 124 shqiptarë ose gjithsej 25.35 për qind.