Lajme Shqip Friday, 08 April 2011 20:24

Strugë- Gjykata Themelore e Strugës ka dënuar të premten me 15 vjet burg Ismail Asanin, I dyshuar për vrasjen e Xhemail Ismailit dhe plagosjen e gazetarit nga “Koha e Re” Mefail Ismaili. Ismail Asani, më 30 gusht në udhëkryqin Strugë-Dibër-Qafë Thanë-Ohër, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të Xhemail Ismaili (58), i cili nga plagët e marra ka ndërruar jetë dhe birit të tij, Mefail Ismaili (25), gazetar i gazetës “Koha e Re”, duke kryer vepër penale, sipas nenit 123, alinea 1, lidhur me nenin 19, vrasje në tentativë si dhe sipas nenit 396, armëmbajtje pa leje, pas seancave dëgjimore, dëshmive dhe provave, Trupi gjykues vlerësoi dhe shpalli fajtor Ismail Asanin për veprat e kryera me paramendim- të cilat i vihen në ngarkim.

Gazetari Mefail Ismaili është shprehur se i pandehuri ka marrë dënimin e merituar lidhur me ngjarjen ku i vrarë mbeti babai i tij Xhemaili. “Kurrfarë dënimi nuk mund ta këthej babanë e humbur, qetësinë shpirtërore dhe gjithë ate që përjetuam që nga 30 gushti i vitit të kaluar”, ka thënë Ismaili.

“Për veprën penale sipas nenit 123, alinea 1, Gjyqi i shqipton dënim prej 11 vjet heqje lirie: për veprën sipas nenit 19, i shqipton dënim prej 6 vjet dhe për veprën sipas nenit 396, alinea 1, dënim prej 3 vjet. Dënimet e shqiptuara sipas veprave të lartpërmendura, shndërrohen në dënim unik në kohëzgjatje prej 15 vjet heqje lirie. Ismail Asani mbetet në ambientet e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e dënimit”, ka thënë kryetari i Trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Strugë, Zhivko Angeleski.

Avokatët e palës së dëmtuar, Ardijan Useini dhe Dimitrije Coboski, pas shqiptimit të dënimit u shprehën se përkundër faktit që është zbatuar ligji në përputhshmëri, janë bërë lëshime në vetë kualifikimin e veprës nga ana e Prokurorisë.

Avokati i të tashmë të dënuarit, Emil Ballaban paralajmëroi ankimin në shkallën e dytë të Gjykatës, për shqiptimin e dënimit të rëndë, duke pohuar edhe ai se është zbatuar në përpikëri ligji i Kodit Penal.