Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 17:37

Shkup – Edhe Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK), në krye me Rufi Osmanin i ka thënë po iniciativës së Lëvizjes Qytetare “Zgjohu”, “Koha për Bashkim”, iniciativë kjo që ka për qëllim unifikimin e votës shqiptare.

“Ne kemi për qëllim t’i japin një shtytje dhe frymë të re politikëbërjes shqiptare, por njëkohësisht nuk duam të kontribuojnë në fragmentimin e votës shqiptare andaj dhe kemi nisur bisedime me të gjitha partitë politike shqiptare në mënyrë që të gjejmë gjuhë të përbashkët dhe të ndërtojmë ura bashkëpunimi. Nisma e këtillë është e bindur që vota masovike e shqiptarëve në zgjedhjet e 5 qershorit do të mundësojë mandatarin shqiptar, në bashkëpunim me partitë tjera shqiptare, që të jetë faktori kryesor në formimin e qeverisë e re”, ka thënë kreu i “Zgjohu”, Artan Grubi.

“Në parim konsideroj se bashkëpunimi ndërshqiptar është i nevojshëm dhe jam i  gatshëm të bashkëpunojë me partitë shqiptare pas zgjedhjeve dhe pas verifikimit të mandateve”, ka thënë kreu i RDK-së Rufi Osmani.

Grubi, madje ka informuar Osmanin rreth përpjekjeve të aktivistëve të shoqërisë civile nëpërmjet nismës “Koha për Bashkim” për të përqendruar votën shqiptare në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të qershorit.

Osmani dhe Grubi, madje kanë diskutuar mundësinë e nënshkrimit të një deklarate të përbashkët nga ana e partive politike shqiptare për të garantuar zgjedhje fer dhe demokratike si dhe mirësjellje në procesin zgjedhor, Osmani gjithashtu ka treguar gatishmëri për të qenë pjesë e asaj deklarate dhe të atyre përpjekjeve.

Ndryshe, ditë më parë nismës “Koha për Bashkim”, i ka dhënë përkrahje edhe Bashkimi Demokratik Kombëtare (BDK), në krye me Hisni Shaqirin.

Nisma e tillë do të vijojë takimet me liderët shqiptarë si dhe do të takojë udhëheqësit e institucioneve në Kosovë dhe Shqipëri bashkë me komunitetin ndërkombëtar në vend për t’i njoftuar rreth qëllimeve dhe ecurisë së saj.