Lajme Shqip Tuesday, 26 April 2011 16:38

Shkup – Bashkimi Demokratik Shqiptar (BDSH) dhe Partia Demokratike Kombëtare (PDK), në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 5 qershorit do të garojnë bashkë. Marrëveshja e bashkëveprimit është nënshkrua të martën në Tetovë nga Bardhyl Mahmuti dhe Xhezair Shaqiri-Hoxha.

Pas nënshkrimit të marrëveshjet kreu i BDSH-së Bardhyl Mahmuti, marrëveshjen e bashkëpunimit zgjedhor me PDK-në e Shaqirit e ka cilësuar si një mesazh për bashkëveprim edhe për të tjerët.

“Ky mesazh afrimi, bashkim që është në zemrat e çdo shqiptari…, është një mesazh për gjithë ata që duan sinqerisht të bashkohen rreth platformës anti-diskriminim të shqiptarëve në Maqedoni, sepse vetëm të bashkuar, ne do rrisim shansin që të dalim faqebardhë para popullit”, ka thënë Bardhyl Mahmuti.

Xhezair Shaqiri, i njohur me nofkën e luftës, Hoxha, ka theksuar se bashkohet me shokun e idealit Mahmutin.

“Jemi dëshmuar në rrugën kombëtare dhe do bëjmë çmos nëse populli na jep mundësinë që t`i mbrojmë interesat e tyre, nuk do të lejojmë që maqedonasit të bëjnë kërdi mbi elektoratin dhe popullin e vendit”, ka thënë  Shaqiri, nga PDK.

BDSH dhe PDK kanë theksuar se Kushtetuta e Maqedonisë nuk plotëson nevojat e shprehjes dhe afirmimit të tërësishëm të diversitetit etnik, kulturor, fetar dhe gjuhësor dhe në këtë drejtim, siç kanë shtuar, “kjo kushtetutë është shndërruar në një gjenerator të konflikteve të vazhdueshme”.

Mësohet se pas nënshkrimit të marrëveshjes midis këtyre dy subjekteve politike në njësinë zgjedhore numër 2, bartës listës të jetë përfaqësues i PDK-së, ndërsa në njësinë zgjedhore gjashtë përfaqësues i BDSH-së që sipas gjitha gjasave do të jetë kreu i kësaj partie Bardhyl Mahmuti.