Lajme Shqip Sunday, 24 July 2011 13:27

Shkup – Iniciativa e prindërve të nxënësve shqiptarë, të cilët mësojnë në shkollën fillore “Petar Petroviç – Njegosh”, të Idrizovës, për ndërtimin e objektit shkollor me mjete financiare të tyre, është vështirë që të realizohet.

Në shkollën fillore “Petar Petroviq Njegosh”, në fshatin Idrizovë, ndjekin mësimin 94 nxënës shqiptarë nga klasa e parë deri në të katërtën, kurse kërkesa për hapjen e një paraleleje shqipe nga banorët e këtij fshati daton që nga viti 1994. Zëdhënësi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), Goran Galevski bën të ditur se nuk është aq e thjeshtë procedura dhe se prindërit nuk mund të ndërtojnë shkollë pa marrë leje së pari. “Nuk është lehtë të ndërtosh një shkollë. Duhet respektuar ligji, të kërkohet së pari leje nga komuna, më pas komuna duhet të kërkojë pëlqim për punësimin e kuadrit arsimor dhe shumë e shumë procedura tjera që duhet të realizohen me doemos për funksionimin e një shkolle”, ka thënë Galevski. Ai ka shtuar se prindërit mund të ndërtojnë shkollë dhe të paguajnë arsimtarë për fëmijët e tyre, por dëftesat e tyre nuk do të pranohen askund. “Prindërit mund të ndërtojnë objekt shkollor, ata mund edhe të paguajnë mësimdhënës për t’i mësuar fëmijët e tyre, por pa lejen e MASH dhe të komunës, dëftesat e atyre nxënësve nuk do të pranohen askund. Ato paralele do të jenë ilegale”, ka thënë Galevski.

Kurse prindërit e nxënësve shqiptarë janë të lodhur nga mos realizimi i kërkesës së tyre për hapjen e paraleles shqipe nga klasa e pestë deri në të nëntën dhe për këtë arsye ata do të ndërtojnë vetë shkollë për fëmijët e tyre.

Përfaqësuesi i këshillit të prindërve Nazim Mani thotë se tani më shumë kanë bërë kërkesa të ndryshme në MASH, si dhe në komunën e Gazi Babës, por asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje që kjo çështje do të zgjidhet. “Aq shumë kemi bërë kërkesa sa që më nuk i mbaj mend me numër sa kanë qenë. E pamë që kërkesa jonë nuk e ka plan të realizohet as nga MASH e as nga komuna e Gazi Babës, andaj kemi vendos që më të mos bëjmë kërkesa, por t’i mbledhim paratë dhe vetë të ndërtojmë shkollë për fëmijët tanë”, ka thënë Mani.