Lajme Shqip Wednesday, 30 March 2011 19:51

Prishtinë – Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga kryetari Jakup Krasniqi u kthye sot pasdite, para kohës së planifikuar, nga vizita zyrtare në Hungari, ku ishte me ftesë të kryetarit të Asamblesë Kombëtare, László Kövér.
“Rrethanat e krijuara në Kosovë bënë që të kthehemi para kohës së planifikuar”, tha në Aeroportin e Prishtinës kryeparlamentari Krasniqi, i cili ndodhej jashtë vendit, kur Gjykta Kushtetuese e vlerësoi jokushtetuese zgjedhjen e Presidentit në Kuvendin e Kosovës.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ai tha: “Jemi para një realiteti që na është krijuar nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese, por ende nuk e kemi vendimin e plotë të saj”.
“Edhe në këto momente jo krejt normale, ndoshta del diçka e mirë, e kjo është gatishmëria e të gjithë faktorëve që ishin përfshirë në këto procese, që të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, pra të mësohemi që vendimet e institucioneve të pavarura, atyre kushtetuese, të respektohen nga të gjithë. Kjo është më e mira që mund të thuhet në këtë moment nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës”, tha kryeparlamentari Krasniqi.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi u bë president në detyrë, kur ish-presidenti Fatmir Sejdiu dha dorëheqje pas konstatimit të Gjykatës Kushteuese se kishte bërë shkelje serioze të Kushtetutës me mbajtjen edhe të postit të kryetarit të LDK-së.
Ende nuk ka njoftime zyrtare se a do të rikthehet Krasniqi si president në detyrë pas vendimit të Kushtetueses për rastin Pacolli.