Lajme Shqip Friday, 15 April 2011 08:48

Shkodër – Një banesë e vjetër dykatëshe, në lagjen “Arra e Madhe” në qytetin e Shkodrës, u përfshi nga flakët rreth orës 09:00 të mëngjesit të sotëm.

Me të marrë informacionin, mjetet e specializuara të zjarrfikësve të Shkodrës shkuan në vendngjarje, dhe me ndërhyrjen e tyre profesionale bënë të mundur lokalizimin e zjarrit duke shpëtuar gjysmën e banesës. 
Nga të dhënat e dëshmitarëve në vendngjarje, mësohet se zjarri përfshiu banesën e shtetasve Prek Pali dhe Nikolin Marku, të cilët prej disa vitesh jetojnë në Itali. Ndërsa pjesëtarët e dy familjeve të tjera, që banonin në pjesën tjetër të kësaj banese, me të konstatuar zjarrin kanë arritur të dalin shumë shpejt nga banesa pa pësuar dëmtime. Lokalizimi i flakëve të zjarrit nga efektivët e Mbrojtjes Kundër Zjarrit bëri të mundur që pjesa tjetër e banueshme nga dy familjet të shpëtojë pa u dëmtuar fare, ndërkohë që pjesa tjetër është djegur tërësisht.
Në vendngjarje gjenden edhe ekspertët e policisë dhe ato të zjarrfikësve, të cilët po hetojnë për shkakun e rënies së këtij zjarri, ku si pista e parë më e mundshme dyshohet të jetë ndonjë shkëndijë eletrike që mund të ketë provokuar rënien e zjarrit.