Lajme Shqip Sunday, 21 August 2011 19:06

Shkodër – Prej më shumë se 24 orësh, sipërfaqe të tëra me pisha, shkurre e kullota në malin e Taraboshit, në periferi në qytetit të Shkodrës, vazhdojnë të jenë të përfshira nga zjarri.

Ndonëse vihet re një rënie e rimit të flakëve të zjarrit, pas ndërhyrjes energjike të forcave të dislokuara që prej ditës së djeshme, djegiet e pjesëshme të sipërfaqeve me shkurre dhe pisha vazhdojnë të jenë të pranishme.

E ndihmuar edhe nga era që vazhdon të fryjë, flakët e zjarrit janë shpërndarë thuajse në të gjithë sipërfaqen e malit të Taraboshit, përfshirë edhe zonën turistike të Shirokës, si dhe në anën tjetër, duke vënë në rrezik edhe një pjesë të banesave në zonën përreth.

Prefekti i Qarkut të Shkodrës, Maxhid Cungu, tha sot se për normalizimin e situatës dhe shuarjen e zjarrit, Shtabi i Emergjencave Civile ka angazhuar 4 zjarrfikëse, ndërkohë që  45 shërbime të Policisë Pyjore, si dhe 80 efektiva të Ushtrisë, të ndihmuar edhe nga Pushteti Vendor, po punojnë që nga nata e së shtunës.

Ndërsa prioritet mbetet shpëtimi i njerëzve dhe ruajtja e objekteve nga zjarri, rëndësi i është kushtuar edhe ruajtjes  e banesave në Shirokë, Zues, Xhaferaj dhe sektorit të kullës së Antenave Televizive në majë të malit të Taraboshit, sqaron më tej Prefekti Cungu.

Përgjatë gjithë ditës së sotme, për normalizimin e situatës së krijuar janë angazhuar  shërbimet e Emergjencave Civile së qarkut, drejtorisë së pyjeve, sektorit të zjarrfikësve, batalioni i reagimit të shpejtë, pushteti vendor, të ndihmuar edhe nga një numër i madh i shërbimeve të Ministrisë së Mbrojtjes.

Sipas Cungut, vatrat e zjarrit kanë djegur 5 ha pyje të mbjella me pisha si dhe rreth 100 ha sipërfaqe kullosa.

Prefekti Cungu i bën apel të gjithë qytetarëve, veçanërisht atyre  pranë zonave të rrezikuara, që të angazhohen  për shuarjen e zjarreve.