Lajme Shqip Friday, 18 November 2011 12:30

Shkodër – Ulja e ndjeshme e temperaturave, të cilat me futjen në stinën e dimrit pritet të shoqërohen edhe me reshjet e dëborës, apo edhe ngricat, të cilat bëhën problematike për zonat e thella malore të qarkut verior, ka vënë në lëvizje strukturat vendore të prefekturës së Shkodrës në drejtim të marrjes së masave përkatëse.

Në një prononcim kreu i Këshillit të Qarkut Shkodër, Maxhid Cungu, tregon vemendjen që po tregon shtabi i emergjencave civile pranë prefekturës së Shkodrës, ku ai mban edhe pozicionin e nënkryetari të këtij shtabi. Sipas tij, duke qënë se ai për disa vite ka ushtruar detyrën e prefektit të Shkodrës dhe nën drejtimin e tij shtabi i emergjencave ka përballuar me shumë sukses situata shumë problematike, përvoja e marrë në këtë drejtim është një faktor pozitiv për të bërë të njëjtën gjë edhe në situata ta tjera të pritshme gjatë këtij fundviti.

Pozitive për të është edhe ngritja e Qëndrës Operacionale pranë prefekturës së Shkodrës, e cila funksionon për herë të parë pa pritur ardhjen e situatave problematike, e cila do të shërbejë në koordinimin e punës dhe të veprimeve të shtabit të emergjencave civile për të gjitha të dhënat teknike, duke filluar me sasinë e pritshme të reshjeve të shiut dhe të dëborës, nivelin e liqeneve dhe situatën aktuale në hidrocentralet e kaskadës së Drinit.

“Në bashkëpunim me Drejtorinë e Bujqësisë është hartuar plani për furnizimin me ushqime për njerëzit dhe kafshët. Gjithashtu, drejtuesit e njësive vendore janë porositur që të gjitha dyqanet dhe magazinat që disponojnë të furnizohen me të gjitha asortimentet e nevojshme si dhe me sasi të mëdha që për çdo rast nevoje të bllokimit të rrugëve, komuniteti të jetë i garantuar për ushqimet gjatë stinës së dimrit”, u shpreh Cungu.

Ndërkohë, kreu u qarkut Shkodër, tha se, “drejtoria rajonale e rrugëve ka marra masat e duhura për vënien në dispozicion të të gjitha mjeteve për të pastruar rrugët në rast të bllokimit nga bora, ka krijuar rezervat me kripë si dhe me granile për t’i hedhur në akset rrugore në rast të përkeqësimit të motit”. Po ashtu, sipas Cungut, kjo ndërmarrja ka rifreskuar të gjitha kontratat me ndërmarrjet kontraktore, me të cilat bashkëpunohet në mënyrë të mirëfilltë në rastet e paraqitjes së nevojës për ndërhyrje në akset rrugore më problematike.

Në të njëjtën kohë, Cungu thotë se për situatën në fjalë janë mobilizuar edhe bashkitë dhe njësitë vendore të zonave malore, të cilat krahas të tjera, përmes strukturave të tyre i kanë kërkuar komunitetit që të ndërgjegjësohen për situatën e pritshme dimërore duke marrë edhe ata masat e nevojshme familjare që në rast emergjente të mos kenë pasoja në lidhje me furnizimin me bazë ushqimore, medikamentet, si dhe elemente të tjera të nevojshme për familjet e tyre.

Të gjitha këto, sipas kreut të Këshillit të Qarkut, Maxhid Cungu, janë një garanci e plotë për mbrojtjen e komunitetit të zonave malore, në rast të përkeqësimit të pritshëm të kushteve atmosferike gjatë ditëve në vazhdim.