Lajme Shqip Monday, 22 August 2011 10:45

Shkodër – Bllokohet procesi i numërimit të votave në KZAZ-në nr. 42 për komunën Shalë. Pas një procesi normal të votimit në 5 qendrat e komunës, puna ka ngecur në procesin përfundimtar, atë të numërimit të votave, i cili nuk ka filluar ende.

Burime zyrtare nga policia e Shkodrës bënë të ditur se materialet zgjedhore të 5 qëndrave të votimit të komunës Shalë, pasi janë shoqëruar nga territori i komunës janë dorëzuar në orën 23:45 te dites se djeshme pranë V.N.V të KZAZ-së 42, vendndodhja e së cilës është në shkollën 9 vjeçare “Xheladin Fishta” të qytetit të Shkodrës.

Por, ndërkohë që pritej të fillonte procesi i numerimit dhe të mësohej kreu i komunës Shalë për mandatin e ri të qeverisjes vendore, procesi ende nuk ka filluar. Kryetari i këtij komisioni, Gjin Brixha, i PS-së, thotë se,  procesi i numërimit të votave nuk ka filluar për shkak të largimit të sekretarit te kësaj KZAZ-je, Benardin Ndoi.

Sipas tij, sekretari Ndoi që perfaqeson PD-ne, përmes depozitimit të një kërkese, ka deklaruar rrethë orës 02.00 të datës 22 gusht dorëheqjen e tij në pamundësi të vazhdimit të ushtrimit të detyrës. Në këto kushte, kur vula dhe kasaforta me procesverbalet përkatëse janë të bllokuara, Brixha, sqaron se procesi ka qënë i pamundur të vijohet.

Gjithnjë sipas tij, KZAZ-në me nr. 42 e kanë vizituar edhe përfaqësues të KQZ, por pa mundur të zgjidhin situatën në fjalë. Në pritje të një zgjidhje nga KQZ per te zëvendësuar sekretarin, mjediset e KZAZ-së nr. 42 në Shkodër, vazhdojnë të jenë të ruajtura dhe të siguara nga forcat e policisë së qarkut Shkodër si dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë me qëndër në Shkodër.