Lajme Shqip Monday, 16 May 2011 08:25

Shkodër – Qyteti i Shkodrës është vizituar nga turistë të shumtë vendas dhe të huaj, të favorizuar edhe nga moti i mirë. Autobusë të kompanive të ndryshnme turistike, shqiptare dhe të huaja, çojnë çdo ditë vizitorë drejt pikave turistike të shumta, që disponon Shkodra përreth saj.

Sami Shoshi, drejtues i kompanisë turistike “Albturist”, tha për ATSH-në se, këtë vit, pritet të ketë një rritje të madhe të numrit të turistëve të huaj në qytetin e Shkodrës, si dhe përgjithësisht në të gjithë Shqipërinë. Sipas tij, ky fluks turistik ka nisur që prej tre javësh, kur Shkodrën e kanë vizituar mesatarisht mbi 500 turistë të huaj në ditë.

Ndërkohë, numri i tyre në ditët e ardhshme pritet të jetë edhe shumë më i madh. Duke iu referuar shifrës së vitit të kaluar, ku Shkodrën e kanë vizituar mbi 35 mijë turistë, Shoshi parashikon që kjo shifër të jetë shumë më e lartë për vitin 2011.

Krahas “Albturist”, në trajtimin e turistëve të huaj për Shkodrën dhe përgjithësisht veriun shqiptar, rol të madh kanë edhe agjencitë turistike “Grand Europa”, “Shkodra Travell”, “Kopliku Travell”, “Alb-Polak”, etj.