Lajme Shqip Wednesday, 09 November 2011 07:40

Shkodër – Bashkëpunimi dhe forcimi i marrëdhënieve mes Polonisë dhe Shqipërisë, kryesisht në zonën e veriut, u diskutuan te martën  në konferencën e mbajtur në qytetin e Shkodrës , ku veç drejtuesve të pushtetit vendor, përfaqësuesve të biznesit, ishte e pranishme dhe Ambasadorja Polake në Tiranë, Irena Tatarzyska.

Në fjalën e saj, diplomatja e lartë konfirmoi  mbështetjen  që Polonia vendi  që  mban  presidencën e radhës në BE, do të vazhdojë t’i japë Shqipërisë në rrugën  e integrimit europian.

“Një nga qëllimet e Presidences polake është garantimi i zhvillimit për  zgjerimin e Bashkimit Europian. Por  kjo  kërkon dhe  plotësimin e kritereve për t’u antarësuar në familjen europiane. Cilësia e zgjerimit të Bashkimit Europian varet nga zbatimi i këtyre kushteve dhe ky rregull i përket të gjithë vendeve që aspirojnë në Bashkimin Europian”, tha ambasadorja polake .

Tatarzyska solli edhe një herë në vëmëndje shkëmbimet tregtare mes dy vendeve. “Nëse në vitin 2006 ato kapnin vlerën e 6.4 milion eurove, në vitin 2010 ato kanë shënuar një rritje të theksuar duke shkuar në vleren e 21.6 milion eurove”, tha ajo. “Bashkëpunimi institucional ndërmjet qeverive lokale në rajon dhe institucioneve qendrore, ngritja e kapaciteteve, trajnimi i burimeve njerëzore për zbatimin e programeve , si dhe bashkëpunimi për hartimin e projekteve të programeve dhe fondeve të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare, ndihmojnë në arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta”, u shpreh  kryebashkiaku i Shkodrës Lorenc Luka.

Përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë dhe biznesmenë në Shkodër kërkuan të jenë pjesë e këtij bashkëpunimi. Krahas shumë fushave të tjera të biznesit me interes dy palësh, sektori turistik ishte në qendër të diskutimeve më të shumta, ku fluksit të madh të turistive polakë që janë shënuar vitet e fundit, ato propozuan që shumë shpejt t’i përgatitet një paketë turistike vecanërisht për Shkodrën dhe pikat turistike veriore.

Kjo paketë turistike që do t’i vihet në  dispozicion Ambasadës Polake,do t’i vijë në ndihmë interesit gjithnjë e në rritje që kanë agjencitë turistike polake për veriun e vendit.