Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 08:00

Shkodër – Forcat e Policisë së Shkodrës asgjesuan në orët e vona të mbrëmjes së djeshme 1458 rrënjë kanabis në një fshat të komunës së Shllakut.

Zëdhënësja e policisë së Shkodrës, Fatbardha Çelepia, bëri të ditur sot për ATSH-në se gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetases Z.Mhilli, në lagjen Thep të fshatit Ukbibaj të komunes së Shllakut, u gjeten një sasi kubikësh me 1458 rrënjë, me karakteristika të kanabis sattiva, të cilat ishin të vendosura në qese plastike.

Çelepia tha gjithashtu se “gjatë kontrollit të ushtruar në banesën në fjalë u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i një arme zjarri automatik e tipit kallshnikov dhe një karikatore me 30 fishekë”.

Krahas arrestimit në flagrancë të shtetases Z. Mhilli, policia shpalli në kërkim djalin e saj, Antón Mhilli, 33 vjeçar, banues në fshatin Hot i Ri, Komuna Rrethina Shkoder dhe po punohet për kapjen e tij.

Ndërkohë, për shtetësen Z. Mhilli dhe djalin e saj, Antonin, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër, ka nisur hetimet për veprat penale të “kultivimit të bimëve narkotike, e kryer në bashkëpunim” dhe “prodhim e mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve lutarake”.