Lajme Shqip Monday, 18 April 2011 10:44

Prishtinë – Me moton “Mos të harrojmë të kaluarën, të punojmë për të ardhmen”, Shoqata “Eksodi 99” nga Kosova ka vizituar qytetin e Shkodrës për të përkujtuar eksodin e popullatës së Mitrovicës në Prill të vitit 1999.

Në shenjë falënderimi për mikpritjen e popullit të Shkodrës, vëllezërit nga Kosova u takuan me kryetarin e Bashkisë Shkodër, Lorenc Luka, i cili u shpreh se “ne si shqiptarë në ato ditë të tmerrshme nuk kemi bërë asgjë më shumë se sa detyrën ndaj vëllezerve tanë”.

Mehmet Tahiri, kryetar i Shoqatës “Eksodi 99”, tha se “ato ditë kanë qenë tmerri i vërtetë për Mitrovicën, pasi mbi 100 mijë banorë u dëbuan nga shtëpitë e tyre”.

Viti 1999 për mbarë popullin shqiptar do të shënonte momentet më tragjike. Shqiptarët e Kosovës u dëbuan me dhunë nga shtëpitë  e tyre drejtë Maqedonisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ka qenë 15 Prilli i 1999 kur shqiptarët në kolonë në këmbë u drejtuan nga Mitrovica duke ndjekur rrugën drejtë Prishtinës pastaj në Pejë, Gjakovë, Xërxë, Prizren dhe Kukës nga ku edhe janë strehuar nëpër vende të ndryshme të Shqipërisë, fillimisht në Shkodër e pastaj në Lezhë, Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë.