Lajme Shqip Wednesday, 16 November 2011 08:55

Shkodër – Institucioni i Komisionerit për Mbrojtje nga Diskriminimi (KMD) në bashkëpunim me UNICEF, DAR Shkodër dhe me EUIC Shkodër, organizuan në mjediset e Qendrës së Informimit të BE-së në Shkodër, një seminar trajnues mbi zbatimin e ligjit “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi” në sistemin arsimor.

Blerina Pirani, përfaqësuese e institucionit te Komisionerit për Mbrojtje nga Diskriminimi (KMD), tha për ATSH-në se “njohja e realitetit është shumë e rëndësishme për të mundësuar më pas ndërhyrjen konkrete në terren, aty ku edhe ka probleme. Ky aktivitet zhvillohet në zbatim të prioriteteve themelore të institucionit të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, mbi njohjen, sensibilizimin dhe edukimin në lidhje me ligjin “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi” dhe funksionet e Zyrës.

Pjesë e këtij aktiviteti ishin drejtuesit e institucioneve arsimore, psikologët e shkollave, punonjësit socialë dhe mësuesit e lëndëve sociale, të cilët ndoqën me shumë interes referimet e mbajtura nga përfaqësuesi i BE-së dhe Institucionit të Komisionerit për Mbrojtje nga Diskriminimi (KMD), ku u diskutua për konceptet, shkaqet, format e shfaqjes së diskriminimit si dhe rolin e tyre në zbatimin e ligjit në lidhje me masat që ata duhet të ndërmarrin në rastet e diskriminimit.

Interes të veçantë paraqiten temat “Komisioneri si garant për mbrojtjen nga sjelljet diskriminuese”,  “Kompetencat dhe procedurat për shqyrtimin e ankesave”, “Kompetencat ligjore të drejtuesve të arsimit në identifikimin dhe zgjidhjen e rasteve të diskriminimit” etj.