Lajme Shqip Wednesday, 03 August 2011 08:17

Shkodër – Policia e Shkodrës ndaloi mbrëmë shtetasin Marash Koçeku, 40 vjeç, lindur e banues në fshatin Gimaj, komuna Shalë, për të cilin Prokuroria e rrethit kishte lëshuar një Urdhër Ndalimi.
Zëdhënësja e Policisë së Shkodrës, Fatbardha Çelepia, tha se ndalimi i Koçekut, u bë pasi ky shtetas ka qenë person i shpallur në kërkim policor që me datë 31 korrik 2011, si organizatori kryesor i pengimit të zhvillimit të zgjedhjeve lokale në komunën e Shalës dhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër, ka lëshuar për të Urdhër Ndalimin, për veprën penale të “Pengim të subjektit për zgjedhjet në organet përfaqësuese”.
Nga Drejtoria e Policisë të Qarkut, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, po vazhdon kryerja e veprimeve hetimore, për hetimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore edhe të autorëve të tjerë të përfshirë në ngjarjen e datës 31 korrik 2011, në pengimin e procesit zgjedhor në komunën e Shalës.