Lajme Shqip Sunday, 01 May 2011 15:54

Shkodër – Lumturimi i Papa Gjon Palit të II-të, klerikut të njohur në historinë e katolicizmit botëror, i cili ka lënë kujtime të veçanta edhe në qytetin e Shkodrës me atë vizitë historike të zhvilluar në këtë qytet në vititn 1993, është shoqëruar me një sërë aktivitetesh në qytetin verior. Ndër to, kanë tërhequr vemendjen, ato të organizuara nga Famullia e Kishës Katolike të Shkodrës, e cila në përkujtim dhe nderim të kësaj figure të njohur, celebroi një meshë të shenjtë, si dhe përmes një aktiviteti artistiko-kulturor, risolli në vemendje për të pranishmit e shumtë vizitën që Papa Vojtila pati në Shqipëri në vitin 1993.

Në meshën e Shenjtë të celebruar në katedralen “Shën Shtjefni” të qytetit të Shkodrës, pikërisht në të njëjtën kohë kur zhvillohej ceremonia e lumturimit të Papa Gjon Palit të Dytë në Vatikan, krahas besimtarëve të shumtë, mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, i cili rikandidon sërishimi për një mandat të dytë në krye të kësaj bashkie, Konsulli i Nderit i Austrisë me qëndër në Shkodër, Gjergj Leqejza, përfaqëseus të Konsullatës Italiane në Shkodër dhe autoritete të tjera.

Nunci Apostolik, Ambasadori i Vatikanit në Tiranë, imzot Ramiro Molinar Ingles, i cili bashkëcelebroi meshën e shenjtë me Ministrin Provicial të Kishës Franceskane, At Gazmend Tinaj dhe famullitatin e kishës katolike të Shkodrës, dom Gjovalin Sukaj, gjatë predikimit të meshës, risolli në vemendje vizitën e Atit të Shenjtë, Papa Gjon Pali i Dytë, në qytetin e Shkodrës, gjatë së cilës në meshën e celebruar në katedralen “Shën Shtjefni” shuguroi katër ipeshkvinjët shqiptarë, ndërkohë që më 26 nëntor 1994, shuguroi në moshën 92 vjeçare Kardinal Mikel Koliqin e persekutuar në burgjet e regjimit komunist.

Gjatë predikimit të tij, imzot Ramiro Molinar Ingles, shprehu konsideratë për Papa Gjon Palin e II-të, edhe per kontributin që ai dha për popullin kosovar, qoftë me pritjen që i bëri në vitin1993 Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, ndërkohë që gjatë luftës në Kosovë, ai ka kërkuar vazhdimisht ndërprerjen e tmerreve ndaj popullit kosovar, duke lutur Zotin për një zgjidhje paqësore në këtë rajon.

Krahas meshës së shenjtë, me shumë interes është ndjekur edhe veprimtaria kulturore organizuar në sallën kulturore “Kardinal Mikel Koliqi”, gjatë së cilës historiani Anton Benusi, duke komentuar pamjet e prezantuara nga videoprojektori, veçoi vlerat e këtij njeriu të madh, i cili me të mbërritur në tokën shqiptare do ta puthte atë duke i dhënë bekimin e duhur, ndërkohë që me vizitën që bëri në Shkodër, i dha famë këtij qyteti të lashtë, me histori dhe tradita perëndimore, lidhjet e të cilit me Vatikanin kanë qënë të hershme.

Emocione të veçanta i dha këtij takimi edhe aktori i mirënjohur Mirush Kabashi, qe me interpretimin e një kolazhi me poezi të Nënë Terezes, e cila shoqëroi aso kohe Papen në Shkodër, mori duatrokitje të shumta, ndërkohë që muzikantë të njohur të qytetit të Shkodrë, ekzekutuan pjese të ndryshme nga kryeveprat botërore.