Lajme Shqip Thursday, 14 July 2011 18:30

Shkodër – Në një ceremoni madhështore, ku kanë marrë pjesë mijëra qytetarë shkodranë, është përcjellë sot për në banesën e fundit, meshtari i njohur shkodran, Dom Simon Jubani.

Për të nderuar meshtarin e guximshëm që sfidoi diktaturën duke u bërë nxitës në rikthimin e besimit fetar në Shqipëri, ishin të pranishëm edhe drejtuesit më të lartë të qeverisjes vendore, politikanë dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri.

Ceremonia mortore në nderim të Dom Simon Jubanit filloi me një meshë mortore të mbajtur në Katedralen e Shkodrës, e cila u celebrua nga Ipeshkvi i Shkodrës, imzot Angjelo Massafra, në të cilën merrte pjesë edhe Nunci Apostolik në Shqipëri, Imzot Ramire. Ai e cilësoi Dom Simon Jubanin si një klerik të përkushtuar dhe atdhetar.

Gjatë ceremonisë u lexuan edhe telegramet e ngushëllimit të Atit të Shenjtë, Papa Benedikti i XVI, si dhe të krerëve më të lartë të shtetit shqiptar, Presidentit të Republikës, Bamir Topi dhe Kryeministrit Sali Berisha.

Në përfundim të meshës, sipas ritualit fetar është bërë bekimi i arkivolit me trupin e pa jetë të Dom Simon Jubanit, dhe më pas, nën tingujt e bandës frymore të Shkodrës është bërë përcjellja drejt varrezave katolike të Rrmajit, ku trupi i pa jetë i Dom Simonit është prehur përkrah meshtarëve të tjerë.

Dom Simon Jubani është meshtari i parë që udhëhoqi meshën e parë të rikthimit të besimit fetar në Shqipëri, më 4 nëntor 1990, meshë e cila u celebrua në varrezat e Rrmajit në një moment shumë të vështirë, që përkonte me grahmat e fundit të përmbysjes së sistemit komunist.

Ai u shndërrua në një simbol të lirisë fetare për brezat e ardhshëm. Përkushtimi ndaj Zotit që e shoqëroi atë gjatë gjithë jetës, e në mënyrë të veçantë shërbimi shpirtëror që ai përcolli ndaj komunitetit të Shkodrës dhe rajonit verior ku shërbeu, e kanë bërë atë që të cilësohet si një ndër meshtarët më popullorë të kishës katolike shqiptare.