Lajme Shqip Thursday, 08 December 2011 11:15

Shkodër – Sami Bajraku, 52-vjeçari i arrestuar tre ditë më parë pasi tentoi të vriste bashkëshorten e tij, 47 vjeçaren Vjollca Bajraku, me armë të ftohtë, thikë, do të vijojë të qëndrojë në burg duke iu nënshtruar hetimeve të mëtejshme të Prokurorisë së Shkodrës.

Masa e sigurisë “Arrest me burg”, iu komunikua gjatë procesit gjyqësor të zhvilluar sot në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, gjatë së cilës Bajraku e ka pranuar autorësinë e krimit.

Nga deponimet në sallën e gjyqit, u bë e ditur se çifti Bajraku, pak minuta para ngjarjes është parë duke pirë kafe në një lokal pranë pikës turistike të Shirokës, ndërkohë që janë futur në automjetin e tyre për t’u kthyer në banesën së tyre në qytetin e Shkodrës.

Por, një konflikt i ashpër për arsye xhelozi ka nxitur Sami Bajrakun ta godasë me thikë bashkëshorten e tij. Duke menduar se bashkëshortja e tij ka vdekur, 52 vjeçari në gjendje të rëndë psikologjike, pasi ka lajmëruar policinë për gjithçka kishte ndodhur, ka pranuar t’i dorëzohet policisë.

Gjatë seancës gjyqësore i pandehuri ka shfaqur pendim për veprimin e kryer, ndërkohë që edhe pse avokati mbrojtës i tij ka kërkuar masën e arrestit në shtëpi me detyrim paraqitje, trupi gjykues ka vendosur që 52 vjeçari të vazhdojë të qëndrojë në qeli per vepren penale “Vrasje e mbetur në tentative”.