Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 07:15

Shkodër – Shtatë persona mbeten të plagosur gjatë një aksidenti automobilistik të ndodhur sot në aksin rrugor Shkodër – Pukë, pasi furgoni i kësaj linje doli nga rruga duke rënë poshtë në një distancë rreth 20 metër.

Burime nga policia lokale bënë të ditur se, “aksidenti ndodhi në territorin e komunës Guri i Zi, pranë kthesës së fshatit Rrencë, ku furgoni me targë PU 12-95 A i drejtuar nga 35 vjeçari Arben Gugaj, ka rrëshqitur në kthesë duke rrezikuar seriozisht jeten e gjashtë pasagjerëve, mes të cilëve edhe dy fëmijë të vegjël”.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë efektivat e policisë rrugore dhe ato të rendit të Komisariatit të Shkodrës, të cilët mundësuan transportin urgjentisht për në Spitalin Rajonal të Shkodrës të të dëmtuarve, ku po i jepet ndihma e shpejtë. Policia ka shoqëruar për në komisariat drejtuesin e automjetit, Gugaj, ndërkohë që ekspertët përkatës po kryejne hetimet rreth këtij aksidenti pa humbje jete.