Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 09:57

Shkodër – Nesër, mbushen plot 20 vjet nga demonstrata antikomuniste e 2 prillit të vitit 1991 në Shkodër, në të cilën humbën jeten katër dëshmorët e parë të demokracisë, Arben Broci, Besnik Ceka, Bujar Bishanaku dhe Nazmi Kryeziu.

 

Në përkujtim të kësaj demonstrate, e cila do të shënonte edhe ngjarjen më makabre të bërë nga pushteti komunist i asaj kohe, bashkia e Shkodrës, në bashkëpunim me Partinë Demokratike, Forumin Rinor të PD-së, si dhe Shoqatën “2 Prilli” po zhvillon një sërë aktivitetesh.

Pjesë e këtyre aktiviteteve është Kupa “2 Prilli” në futboll, me pjesëmarrjen e ekipeve të shkollave të mesme të qytetit, veprimtari të larmishme artistike, ndër të cilët edhe koncerti përkujtimor që do të zhvillohet në Teatrin “Migjeni”, hapja e një ekspozite me foto nga ngjarja e asaj dite, etj.

Ndërkohë në programin e bërë publik për mediat, kushtuar përkujtimit të kësaj ngjarje, janë edhe vendosja e kurorave në varrezat publike si dhe pranë Memorialit të Dëshmorëve të 2 Prillit, vizita në familjet e Dëshmorëve të Demokracisë, ndërkohë që është planifikuar edhe një miting i madh në sheshin “2 Prilli”, në të cilin pritet të jenë të pranishëm edhe drejtuesit më të lartë të qeverisë.

“Sivjet mbushen 20 vjet nga demonstrata e parë antikomuniste, e cila përfundoi me humbjen e jetes së 4 dëshmoreve të parë dhe qindra djem, vajza dhe qytetarë të Shkodrës të plagosur, të rrahur e të dhunuar. Ishte gjaku i këtyre 4 bijve të Shkodrës që përmbysi një here e përgjithmonë sistemin e urryer komunist, duke i hapur rrugën Shqipërisë Europiane. Tani pas 20 viteve motoja e këtyre bijve të Shkodrës “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, u bë realitet. Tashmë Shqipëria ecën e sigurtë në rrugën e integrimit Europian dhe njëkohësisht është anëtare e NATO-s”, tha sot në një prononcim për mediat Gjeorgjeta Hila, kryetare e FRPD-së Shkodër.

Hila i bëri thirrje qytetarëve shkodranë, e në mënyrë të veçantë të gjithë atyre personave që vuajnë akoma traumat e asaj ngjarje që la gjurmë të thella në historinë e Shqipërisë, që të marrin pjesë masivisht në tubimin përkujtimor që organizohet në sheshin “2 Prilli” nesër në orën 11.00.