Lajme Shqip Thursday, 07 April 2011 13:08

Shkodër – “Katër persona të akuzuar për vepra të ndryshme penale janë arrestuar pas finalizimit me sukses të operacionit policor të koduar “Rrethinat 2″, të zhvilluar gjatë 12 oërve të fundit nga Drejtoria e Policisë e Qarkut Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër”, bëri të ditur zëdhënësja e policisë së Shkodrës, Fatbardha Çelepia.
Sipas saj, arrestimi i parë u bë për 40 vjeçarin Elmir Guri, banues në lagjen “Partizani” të qytetit,  pasi Gjykata e Apelit Shkodër ka vendosur ndaj tij masen e sigurisë së “arrestit në burg”, si i dyshuar për kryerjen e vepres penale të “vrasjes së mbetur në tentative, e kryer në bashkëpunim”.
Pas tij, në pranga ka rënë 41 vjeçari Preke Miri, banues në fshatin Shtoj i Vjetër, person i  shpallur në kërkim pasi është dënuar për veprën penale “shkatërim te pronës”.
Dy të arrestuarit e tjerë janë 26 vjeçari Lazër Koçeku, banues në lagjen “Mark Lula”, Shkodër, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij tip fuoristradë “Mitsubishi”, me targa SH 65 00 E, iu gjet një armë zjarri tip pistoletë, të cilën e mbante pa leje, si dhe Klodian Sinaj, 22 vjeç, banues në lagjen “Guerrile” të qytetit, i dyshuar për vjedhje tetorin e vitit të kaluar të një banese në lagjen “Tom Kola” të Shkodrës.