Lajme Shqip Monday, 05 August 2013 15:07

Prishtinë – Sot gjatë ditës pritët të nisë punën Komisioni hetimor i themeluar nga Ministria e Punëve të Jashtme për të hetuar veprimet skandaloze të zëvendësambasadorit Urtak Hamiti në Zagreb. Zëdhënësi i MPJ-së, Artan Behrami, ka thënë se puna e komisionit pritët të zgjasë rreth një muaj deri sa të merret vendimi, transmeton ktv. Për Hamitin, që u arrestua në gjendje të dehur në Zagreb nga policia kroate, pasi thuhet të ketë terrorizuar kryeqytetin kroat, u kërkua edhe dorëheqja e ministrit Hoxhaj.

Prishtinës zyrtare ditë më parë i erdhi një letër proteste nga Zagrebi për sjelljet jodinjitoze dhe joprofesionale të Hamitit, me ç’rast ministri Hoxhaj mori vendimin për ta tërhequr nga atje. Por, për veprimet e Hamitit nuk ka pranuar deri tash të komentojnë babai i tij, njëherësh nënkryetar i LDK-së e i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti.

Ndërkohë, raporton rtk, në kuadër të rrotacionit të zakonshëm, presidentja ka emëruar Shkendije Gecin, ambasadore të Kosovës në Zagreb, e cila së shpejti pritet të marrë detyrën. Shkendije Geci Sherifi ishte e akredituar në Budapest – Hungari.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi tha se”Për neve ky kapitull është i mbyllur, por, natyrisht që duhet patjetër të përdorën masat që diplomatët tanë duhet të jenë shembull kur të jenë jashtë vendit, pa marrë parasysh çfarë partie politike kanë, çfarë backgraundi kanë dhe pa marrë parasysh se çfarë periudhe kohore kanë ardhur tek ne”, theksoi Selimi.

Ndërkohë në kuadër të rrotacionit të zakonshëm, Presidentja e vendit ka emëruar Shkendije Gecin ambasadore në Zagreb, tha Selimi.

“Kryetarja ka emëruar ambasadoren Shkendije Geci në Zagreb. Ajo shumë shpejtë do të udhëtojë. Ndërsa pas tërheqjes së Hamitit edhe pozita tjetër do të plotësohet konform ligjit dhe rrotacionit të personalit. Hamiti ka qenë katër vjet në Zagreb dhe ai edhe ashtu ka qenë në përfundim të mandatit pavarësisht nga incidenti, në të cilin për fat të keq ishte i përfshirë”, tha Selimi.

Hamiti në Zagreb ishte arrestuar në gjendje të dehur, e më pas është liruar. Ai ishte emëruar në shërbimin dipmolatik qysh në fillim të krijimit të MPJ-së, që udhëhiqej nga Skënder Hyseni.