Lajme Shqip Thursday, 11 July 2013 13:36

Prishtinë – Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) ka shpërndarë vendimet e akreditimit për të gjitha institucionet publike të arsimit të lartë dhe atij privat, të cilat nuk i kanë kënaqur të gjithë aplikuesit (institucionet).
Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina” ka marrë goditjen më të madhe në drejtimin më të kërkuar të tij dhe në përgjithësi në UP, atë të shkencave politike. Studimet e doktoratës në këtë departament kanë marrë notë negative nga eksperti që ka bërë vlerësimin, sipas rekomandimit të të cilit bordi i AKA-së dhe ka vendosur të mos e akreditojë në master dhe doktoratë, shkencat politike.
Në këtë universitet janë akredituar mbi 12 programe të doktoratës gjatë këtij viti, që sipas krerëve të kësaj agjencie, vlerësohet si një përmirësim i kritereve nga UP-ja.
Megjithëkëtë, siç raporton ‘Zëri’, AKA-ja e sheh ende UP-në në sfidë me mungesën e laboratorëve, stafit jo adekuat (i cili duhet të ketë një biografi me hulumtime shkencore) dhe kurrikulën për të organizuar studimet e doktoratës.
Në bazë të vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim pas shqyrtimit të raporteve të ekspertëve të vlerësimit, në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike nuk janë akredituar tri programe në doktoratë, Prodhimi dhe automatizimi, programi Termoteknikë dhe Termoenergjetikë, si dhe Konstruksione dhe Mekanizim, në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës nuk është akredituar programi Konstruksion (PhD), në Fakultetin Filozofik nuk është akredituar Shkenca politike (PhD), po ashtu dhe masteri i këtij drejtimi.
Në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore (FSHMN) programet që janë akredituar janë: Biologjia e Organizmave dhe Ekologjia (PhD) dhe Kimi (PhD), kurse programet të cilat nuk janë akredituar në doktoratë janë Biologjia Molekulare dhe ajo e Qelizës (PhD) si dhe Optika e Mediumeve Izotropike (PhD). Në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) janë akredituar programet Telekomunikacion (PhD), Shkenca Kompjuterike (PhD) dhe Automatikë (PhD), por nuk janë akredituar Elektronikë (PhD), Elektroenergjetikë industriale (PhD) dhe Sistemet elektroenergjetike (PhD).
Në Fakultetin e Mjekësisë janë akredituar katër programe në doktoratë Shëndeti Publik, Mjekësi Klinike, Mjekësi paraklinike dhe programi në Stomatologji. UP në këtë raund të akreditimit ka “humbur” shkencat politike, të cilave iu është dhënë akreditim vetëm në studimet bachelor. Me mosakreditimin e programit të doktoratës në shkenca politike, dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli, ka thënë për gazetën “Zëri” se pajtohet. Madje, sipas tij, bartësit e këtij programi në fakultet duhet të bëjnë përpjekje në të ardhmen për ta marrë akreditimin, por vetëm pasi që ta standardizojnë doktoratën.
Sipas Dugollit, duhet të ketë një qasje më specifike të programit të studimit në shkenca politike për doktoratë. Por, ai nuk ndan të njëjtin mendim për masterin e shkencave politike, që po ashtu nuk është akredituar. Dugolli hedh poshtë vërejtjen kryesore të ekspertëve se në këtë program kurrikula nuk është në nivel të kënaqshëm. Përkundrazi, ai tha se në këtë nivel janë përmbushur kriteret për akreditim.
Ndërsa, Arben Hajrullahu nga ky fakultet, i cili ka prezantuar programin e doktoratës para ekspertëve të agjencisë ka thënë se vlerësimi i këtyre ekspertëve të akreditimit ka qenë shumë real. Ai thekson se sikurse strukturat menaxhuese të fakultetit ashtu dhe ato të Rektoratit duhet të binden se pa resurse humane dhe financiare nuk duhet të hapen programe të reja studimi. Sipas tij fakulteti ka resurse humane, por jo adekuate për këtë program.
Përderisa, zyrtarë të universitetit përgjegjës për të kontaktuar me media nuk janë lajmëruar gjatë ditës, ata të agjencisë së akreditimit kanë bërë të ditur se UP-ja tashmë ka marrë vendimet për të gjitha programet e akredituara dhe paakredituara.
Basri Muja, drejtor ekzekutiv në këtë agjenci ka thënë se në UP, tri pika ku duhet të ndërhyhet janë kurrikula, stafi dhe infrastruktura. Ai ka sugjeruar që fakultetet ta marrin me seriozitet hartimin e programeve. Muja ka thënë se ekspertët kanë verifikuar se brenda një fakulteti ka pasur duplifikim të programeve të doktoratës, me të cilat kanë aplikuar fakultetet, pastaj jo përputhje me profilin e studimit…Sipas tij një defekt për të mos u akredituar programe në shkencat e natyrës dhe ato teknike, veçanërisht në nivelin e doktoratës mbetet ende mungesa e pajisjes me laboratorë ku do të kryheshin hulumtimet.
Edhe kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë në AKA, Ferdije Zhushi-Etemi tha për “Zërin” se pas një ngecje disa vjeçare të këtyre studimeve në UP, gjatë këtij viti janë akredituar mbi 12 programe, të cilat kanë hapur rrugë që njerëzit të studiojnë në Kosovë. Por, ajo vlerëson se përpjekjet më të mëdha të fakulteteve duhet të përqendrohen në përmirësimin e infrastrukturës laboratorike në shkenca dhe në mjekësi si dhe në krijimin e një kurrikule në përshtatje me profilin dhe standardet për këtë nivel studimi në përgjithësi në UP.
Zhushi-Etemi ka bërë të ditur se masteri në shkenca politike nuk është akredituar pasi ka qenë një program jo atraktiv për kohën e tashme dhe jo me përmbajtje me masterin dhe profilin. Ndërsa në doktoratë, ajo ka thënë se eksperti po ashtu ka parë strukturën e doktoratës jo adekuate në shkenca politike dhe pikat e hulumtimit jo të qarta.