Lajme Shqip Wednesday, 29 February 2012 09:35

Sarandë – Një operacion i organizuar në orët e vona të mbrëmjes të së martës, ka çuar në shkatërrimin e një baze të falsifikimit të monedhave në qytetin e Sarandës, njoftoi sot policia lokale, në jug të vendit.

Forca të shumta policore rrethuan dhe më pas ndërhynë në dy banesa në lagjen nr. 4 të Sarandës.

Burime policore bëjnë të ditur se është arrestuar Klauid Kadëna, 22-vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Sarandë, ndërsa i dyshuari Saimir Selmani, 28-vjeç, lindur dhe banues në Sarandë, u shpall në kërkim.

“Nga kontrollet në banesat e dy të dyshuarve është zbuluar një bazë e vërtetë e falsifikimit të monedhave. Janë gjetur 54 kartmonedha të tilla, të falsifikuara, të prerjes 2000 lekë të reja, me vlerë totale 104.000 lekë të reja, si dhe një printer e skaner, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale”, theksoi policia.

Policia tha se nga hetimet dhe përgjimet e kryera, rezulton se këta shtetas kanë hedhur në treg të paktën 500.000 lekë të reja false, kartmonedha të prerjeve 1000 e 2000 lekë të reja.

“Ato bliheshin me 30 deri në 40 % të vlerës së stampuar në mënyrë artizanale në kartmonedhë e më pas hidheshin në tregun e Sarandës”, saktëson policia.

Momentalisht, policia po bashkëpunon me prokurorinë e rrethit dhe kanë nisur hetime intensive për të zbardhur dhe dokumentuar veprimtarinë e plotë të këtyre shtetasve si dhe bashkëpunëtorët e tyre të mundshëm.