Lajme Shqip Thursday, 01 March 2012 20:40

Tiranë – Kuvendi miratoi të enjten në mbrëmje me 69 vota pro dhe 54 vot kundër raportin e paraqitur nga komisioni hetmor për shkarkimin e Kreshnik Spahiut nga posti i nënkryetarit të KLD-së.

Opozita, ndonëse nuk u bë pjesë e hetimit parlamentar votoi kundër shkarkimit të nënkryetarit të KLD-së, i cili, sipas raportit të paraqitur sot në parlament, “me dashje të drejtpërdrejtë, ka devijuar nga funksioni i tij kushtetues, duke e zëvendësuar atë me veprimtari politike.

Në përfundimet e këtij raporti, të paraqitur nga kryetari i komisionit, Enkelejd Alibeaj,
thuhet se Kreshnik Spahiu, ka abuzuar në mënyrë flagrante dhe ka shpërdoruar kompetencat e menaxhimit administrativ dhe financiar të KLD-së.

Raporti, krahas parlamentit, do t’i dërgohet edhe Prokurorisë për ndjekje penale të Spahiut, i cili dha dorëheqjen më 10 shkurt.

Gjatë analizës së retorikës nacionaliste të përdorur nga Kreshnik Spahiu në tubimet e tij si kryetar i Aleancës KuqeZi, Alibeaj ngriti edhe shqetësimin se “këto thirrje në një kohë kur Shqipëria është në një proces reformash dhe shtetndërtimi, duke u ditur se qasjet nacionaliste tërheqin vëmendjen e njerëzve, mund të jenë një rrezik për rendin demokratik sëbashku me thirrjet revolucionare për rrëzimin e drejtuesve aktual të politikës”.