Lajme Shqip Thursday, 09 August 2012 18:05

Tiranë – Kryetari i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha u shkarkua sot nga kjo detyrë, ndërsa kaloi në postin e drejtorit të inspektoratit ndërtimor urbanistik, duke zëvendësuar kështu drejtorin aktual të këtij dikasteri, Arben Nokën.

Lajmi vjen i konfirmuar zyrtarisht nga zyra e shtypit të Bashkisë së Tiranës, ku dhe mësohet se shkarkimi nga posti i kreut të Bashkiakes, është bërë nga vetë Lulëzim Basha.

Mësohet se në vendin e Florenc Hoxhës është emëruar ish kreu i Policisë Rrugore, Vullnet Topalli, i cili u shkarkua vetëm disa ditë më parë nga ministri i Brendshëm Noka.

AKUZA E AMNESTY INTERNATIONAL
Aksionet e autoriteteve lokale dhe Bashkisë së Tiranës dhunojnë të drejtën për të jetuar të komunitetit rom, veçanërisht të fëmijëve. Akuza tepër e rëndë vjen nga Amnesty International, organizatë me famë botërore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

“Amnesty International është e shqetësuar për dhunimin potencial të së drejtës së familjeve rome për të siguruar jetesën, shkaktuar nga autoritetet vendore në Tiranë, që nuk i lejojnë ata që të mbledhin mbeturina të riciklueshme”, shkruhet në një raport të agjencisë që u publikua sot.

Sipas Amnesty, që kur operacioni i Policisë Bashkiake hyri në fuqi në qershor, 92 persona janë gjobitur ndërsa u janë konfiskuar mjetet e punës. Dhe kjo është shqetësuese sepse “rreth 700 familje rome në Tiranë e kanë mbledhjen e mbeturinave si të vetmin burim jetese”. (Sh.C)