Lajme Shqip Sunday, 27 April 2014 11:37

Shërbimi Informativ Shtetëror përgënjeshtroi dje zyrtarisht akuzat e ngritura nga opozita se forcat e ushtrisë ishin në krye të transportit të drogës me anë të avionëve të vegjël. Fushata e nisur prej tri javësh madje do të shkojë edhe në një komision hetimor parlamentar, për të hetuar zyrtarisht akuzat, por që, sipas sqarimit të djeshëm të SHISH-it, është thjesht një furtunë në gojë uji, prej së cilës nuk ka mbetur asgjë zyrtare, por vetëm fantazi të sajuara për të dëmtuar reputacionin e qeverisë vetëm pak muaj para vendimit të shteteve të BE-së për statusin e vendit kandidat. Fushata e drogës e stisur nga PD-ja, nisi nga sallën e Kuvendit, por nuk arriti të faktohej, edhe pse prokuroria e Përgjithshme thuhet se u kërkoi deputetëve akuzues që të paraqisnin fakte, por asnjëri prej tyre nuk u paraqitur për të provuar akuzat për implikimin e ushtrisë në trafikun e drogës. Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, në një deklaratë për mediat pak ditë më parë tha se: ”Prokuroria do iu kërkojë të gjithë deputetëve që kanë ngritur dyshime, lidhur me mundësitë e trafikimit të lëndëve narkotike me mjetet e ushtrisë, të paraqesin të gjitha faktet që disponojnë”.

Por deklarata e djeshme e SHISH-it i bën nul të gjitha akuzat e hedhura deri më sot nga PD-ja, duke qenë se ato zyrtarisht janë motivuar si të bazuara te informacioni i mbledhur nga SHISH-i, që mohoi pretendimet e dala në media, se ky institucion ka në dispozicion dokumente që vërtetojnë trafikun e drogës nga ana e ushtrisë. “Shërbimi Informativ Shtetëror shprehet tejet i shqetësuar për valën e spekulimeve mediatike e politike lidhur me një informacion të klasifikuar të këtij shërbimi, me të cilin po abuzohet në dëm të punës sonë e të interesit të vendit tonë përmes një publikimi të paligjshëm në media. Ky informacion jo vetëm nuk përmban asnjë fakt të vërtetuar nga ne, lidhur me trafikimin e drogës përmes infrastrukturës ushtarake, por po shpërdorohet mediatikisht në një formë krejt të papranueshme që cënon drejtpërdrejt punën dhe imazhin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Puna e SHISH-it është t’u përcjellë autoriteteve të larta, në formë të klasifikuar, informacione jo vetëm mbi çdo fakt të vërtetuar, por edhe mbi çdo dyshim të arsyeshëm që gjykohet se mund të vlejë për të ndaluar apo parandaluar fenomene ose ngjarje të rrezikshme për sigurinë e vendit. SHISH u bën apel mediave dhe politikës që, për interesat e ditës, të mos dëmtojnë punën e institucionit dhe interesat e vendit, duke e siguruar publikun se informacioni në këtë rast nuk lidhet me përfshirjen e asnjë strukture shtetërore, si dhe duke u kërkuar organeve të drejtësisë të vendosin para ligjit burimet e dekonspirimit të informacionit të klasifikuar”, thuhej në deklaratën e djeshme të bërë nga SHISH-i.

Akuzat për trafikun e drogës

Gjatë seancës parlamentare të enjten e shkuar, opozita ashpërsoi akuzat ndaj qeverisë si të implikuar në trafikun e drogës. “Nuk akuzojmë asnjëherë Forcat e Armatosura, por qeverinë që bën drogën. Nuk akuzojmë oficerët tanë, është padrinoja që është si fije e kalbur bari kur një gazetari i hidhet koka e dhisë tek dera e shtepisë”, deklaroi deputeti Sali Berisha. Qeveria u tregua e hapur për hetime, duke i quajtur të pabaza akuzat për trafik droge dhe Kuvendi miratoi ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, ku PD-ja, edhe pse konfirmoi pjesëmarrjen, nuk e votoi, duke shtuar se kërkonte hetim më të gjerë për drogën sesa akuzat për implikimin e infrastrukturës ushtarake.

Qëndrimi reaksionar i opozitës u bë më i ashpër pas publikimit të një shkrese zyrtare të dalë nga SHISH-i, tre ditë më parë, ku flitej për dyshime në trafikun e drogës nga aeroporti i Gjadrit. Sipas shkresës së firmosur nga kreu i SHISH-it, Visho Ajazi Lika dhe drejtuar Ministres së Mbrojtjes, thuhej se ekzistojnë dyshime se aerodromi i Gjadrit përdoret për transport të trafikut të drogës. Në këtë shkresë, jepet edhe rasti i fundit i evidentuar nga SHISH-i, që mban datën 19 mars të këtij viti, rreth orës 7:00 të mëngjesit në fund të pistës së aerodromit të Gjadrit është ulur një avion sportiv, tip charter me ngjyrë të bardhë. Pranë tij, sipas shkresës, u afrua një furgon tip “IVEKO“ me ngjyrë të bardhë, i mbyllur dhe me targa të qytetit të Vlorës. Pak minuta më pas, banorët e zonës konfirmuan se avioni është larguar, ndërsa rreth orës 8:00 të mëngjesit të asaj dite policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, pa arritur që të gjejë shoferin e furgonit apo avionin sportiv. Në shkresë thuhet, se efektivët e Gjadrit, të pyetur nga policia, janë shprehur se nuk kanë dijeni dhe nuk kanë konstatuar uljen e ndonjë avioni, ndërsa kanë pranuar se radarët nuk funksionojnë…

SHISH theksonte në shkresë, referuar edhe informacionit të dhënë nga Shërbimi Informativ i Ushtrisë në tetor të vitit të kaluar, dyshimet se aerodromi i Gjadrit përdorej nga trafikantët e drogës dhe se po vazhdonte punën për të evidentuar rastet. Ndërkaq, në 18 tetor të vitit të kaluar, në zonën mes plazhit të Shëngjinit dhe Velipojës është ulur një avion i vogël. Në atë kohë, policia tha se avioni i përkiste dy turistëve italianë që udhëtonin nga Kroacia drejt Italisë, por që për shkak të defektit ishte detyruar që të bënte ulje në zonën e plazhit. Nga ana tjetër, SHISH theksonte se këto lloj avionësh të vegjël, dyshohet se përdoren për trafik droge edhe në rrethet e Gjirokastrës dhe Lushnjës.

Moisiu: Akuzat për trafik droge, qesharake dhe të pavërteta 

Ish-Presidenti Alfred Moisiu ka reaguar nga Kukësi në lidhje me akuzat e opozitës për implikim të Forcave të Armatosura në trafik narkotikësh, duke i cilësuar si qesharake dhe të pavërteta. Sipas Moisiut përfshirja e ushtrisë në trafik droge është e pamundur pasi sipas tij, hapësira ajrore monitorohet nga dy vende të NATO si Greqia dhe Italia.  “Është qesharake që Forcat e Armatosura të përfshihen në trafik të lëndëve narkotike. Kjo pasi edhe për arsye se hapësira jonë ajrore kontrollohet nga vendet fqinje si Greqia dhe Italia, që janë edhe vende anëtare të NATO-s”- u shpreh Moisiu. Jo vetëm kaq, por për ish-Presidentin, kohët e fundit edhe kontrolli kohët e fundit është bërë më i rreptë dhe më rigoroz. Në fjalën e tij ish-Presidenti dhe ish-Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura i bëri apel politikës për të qenë më e kujdesshme në zgjedhjen e strukturave të shtetit, ndërsa tha se ka ardhur koha që të bëhen ndryshime kushtetuese dhe që Presidenti të zgjidhet nga populli.

Përçarja

Protestat e PD-së, aleatët: Nuk jemi sindikalistë 

Partia Demokratike ka kërcënuar se do të nisë një fushatë protestash në të gjithë vendin, por duket se ende nuk e ka mbështetjen e partive të tjera të koalicioni opozitar. Pavarësisht se kryetari i PD-së, Lulzim Basha në çdo dalje kërcënon me revolta popullore ndaj keqqeverisjes socialiste, brenda opozitës nuk ka një frymë bashkëpunimi. Dy partitë e tjera të koalicioni opozitar, PDK-ja e Nard Ndokës dhe PR-ja e Fatmir Mediut ende nuk kanë një plan konkret  për organizimin e protestave.  “Ne nuk jemi parti sindikaliste. Me aq sa jam informuar ai ishte një takim në formë konsultative dhe tejet i domosdoshëm për opozitën, në mënyrë që të koordinojë dhe të përfshijë në kauzën e saj sa më shumë grupe interesi. Por nga ana tjetër, deri tani nuk është organizuar asnjë takim mes partive të koalicionit për këtë çështje, kështu që nuk ka ende asnjë vendimmarrje përfundimtare nga partitë e opozitës për nisjen e këtyre protestave. Dhe nëse do të vendoset bashkërisht për protesta, natyrisht që ne do të jemi pjesë e tyre”-tha Ndoka.

Duke nënkuptuar se opozita ende është e paorganizuar në aksionin e saj, republikanët shprehen të mendimit se për nisjen e protestave  duhet të rakordohet me të gjitha grupet e interesit, për të hartuar një plan konkret veprimi për opozitën, ku aksioni të mos përqendrohet vetëm te protesta. “Që të kemi veprime konkrete dhe të mos i ngelemi spontanitetit, apo anës deklarative duhet që kjo tryezë të krijojë një grup pune që të analizojë të gjithë veprimtarinë që ne duhet të kryejmë në kohë me të gjitha grupet e interesit, si: iniciativa politike, protesta, iniciativa ligjore në mbështetje të këtyre grupeve të interesit, në mënyrë që zëri ynë në Kuvend të jetë vërtet një zë përfaqësues i interesave të qytetarëve shqiptarë. Besoj se përcaktimi i prioriteteve do të na bënte që të ishim më efektivë, dhe, kam bindjen se po ashtu, duhet të organizohemi edhe me grupe të tjera interesi, sidomos me një përfaqësi më të gjerë të biznesit, të pronarëve, të përndjekurve politikë, të të rinjve, për të parë dhe dëgjuar me vëmendje të gjitha shqetësimet e tyre dhe në këtë mënyrë, për të përfaqësuar edhe zërin e tyre”, deklaroi Mediu.

PD: Dëshmi të reja tronditëse për drogën

 

Megjithëse SHISH-i, dje, zyrtarisht, përgënjeshtroi të ashtuqujturat fakte se ushtria është përdorur për trafik droge, PD-ja, përmes zëdhënëses Laura Vorpsi, denoncoi të ashtuquajturat dëshmi të reja tronditëse, të cilat tregojnë se avionët e drogës, janë ulur në territorin tonë, janë ngarkuar me mall dhe janë larguar. “Genti Kuqi, banor i Bedatit në Lushnjë deklaroi, se ka parë avionin të ulet në rrugën Bedat-Adriatik. Disa persona me fuoristradë e kanë ndaluar atë dhe 20 banorë të tjerë dhe nuk i kanë lënë të kalojë për 25 minuta derisa avioni është ulur dhe ka ikur sërish. Kjo dëshmi, dëshmitë e banorëve të Kardhiqit, dokumente zyrtare të bëra publike, janë tregues rrëqethës të faktit se territori i Shqipërisë është kthyer në një pistë të narkotrafikantëve. Në Gjadër, në Lushnje, në Kardhiq, etj, avionë ngarkohen me drogë dhe e trafikojnë atë në vende të tjera. Kjo është një situatë e paprecedentë. Dëshmitë tregojnë se në 7 muaj të qeverisjes Rama-Meta, Shqipërinë e kanë shtënë në dorë narkotrafikantët, droga ka plasur sheshit dhe trafiku i saj bëhet me çdo mjet e mundësi”- tha zëdhënësja Vorpsi.