Lajme Shqip Thursday, 29 November 2012 19:32

Prishtinë – Qindra qytetarë janë mbledhur në një skenë të improvizuar në sheshin Nëna Terezë në Prishtinë, në pritje të arritjes së ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, i cili sot është shpallur i pafajshëm nga Tribunali i Hagës, në të gjitha pikat e aktakuzës së ngritur për krime lufte.

Të pafajshëm janë shpallur edhe dy ish bashkëluftëtarët e tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj.

Zoti Haradinaj pritet që pas pak çastesh t’u drejtohet qytetarëve të shumtë të mbledhur në qendër të Prishtinës.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj iu drejtua sonte  qytetarëve të shumtë, të cilët ishin mbledhur në sheshin “Nënë Terezë” në Prishtinë, duke falënderuar të gjithë për mbështetjen.
Haradinaj deklaroi se ai do të punojë për ngritjen e qeverisjes, demokracisë dhe zhvillimit ekonomik.
“E di që nuk jemi parë moti dhe kemi shumëçka të flasim, por unë si gjithmonë do të kursej fjalët, por jo edhe punën”, tha Haradinaj.
Fjalimi i Haradinajt u përcoll gjatë me duartrokitje, brohoritje dhe fishekzjarre.
Si raporton Indeksonline, në sheshin “Nëna Terezë” foli edhe avokati mbrojtës i Haradinajt, Ben Emerson, i cili tha se i ka kërkuar ish-kryeprokurores së Gjykatës në Hagë, Carla Del Ponte, që t’i kërkojë falje Ramush Haradinajt dhe Kosovës.
“Del Ponte më është përgjigjur vetëm me të qeshur”, tha Emerson dhe shtoi se kjo tregon se me sa përgjegjësi e merr ajo një çështje në Tribunalin e Hagës.
Ai njoftoi se do të fillojë një hetim për punën e saj, në mënyrë që ajo të mos mund ta vazhdojë punën në Gjykatën për krimet në Siri dhe se do të kërkojë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut që ajo të suspendohet. (LajmeShqip.com)