Lajme Shqip Thursday, 09 May 2013 09:55

Prishtinë – Në Kosovë po shënohet Dita e Evropës me aktivitete të ndryshme. Krerët shtetërorë por edhe ata ndërkombëtarë, kanë uruar qytetarët e Kosovës, me rastin e 9 Majit –Ditës së Evropës.

Mesazhe urimi kanë dhënë presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi dhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar.

“Integrimi në BE varet prej nesh, prej institucioneve dhe qytetarëve, prej vullnetit dhe angazhimit tonë për të dëshmuar se jemi pjesë e Evropës dhe vlerave të saj. Nuk ka një rrugë të shkurtër për anëtarësim në BE dhe ne nuk jemi të interesuar për një të tillë. Jemi të interesuar t’i plotësojmë të gjitha kushtet, sepse vetëm kështu mund të krijojmë një shtet të qëndrueshëm, një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe një demokraci të konsoliduar. Reformat që duhet t’i ndërmarrim janë jo vetëm për hir të integrimit evropian, por për mirëqenien tonë, për qytetarin tonë dhe për të ardhmen e gjeneratave të reja”, ka thënë Jahjaga.

Kryeministri Thaçi, ka shprehur mirënjohjen ndaj shteteve të Bashkimit Evropian që, sipas tij, kontribuuan në të gjitha format për përkrahjen, mbrojtjen, çlirimin dhe ndërtimin e Kosovës si në të kaluarën e afërt, ashtu dhe në ditët e sotme.

“Qeveria e Republikës së Kosovës angazhohet çdo ditë me përkushtim për t’i përmbushur të gjitha kriteret dhe standardet e nevojshme që Kosova ta zërë sa më parë vendin e vet të merituar në mesin e shteteve të familjes së madhe evropiane”, ka thënë Thaçi.

Ndërkaq në mesazhin e Zhbogar veç tjerash thuhet: “Jam i gëzuar që Kosova feston 9 Majin – Ditën e Evropës. Një gjë të tillë e shoh si afrim të Kosovës me Bashkimin Evropian. Është me rëndësi të them se për gjashtë muaj rresht kam vizituar të gjitha komunat e Kosovës. Ditën e fundit kam vizituar komunën e Prishtinës”

Kjo ditë, simbolizon lindjen e Evropës së bashkuar, krijimin e paqes dhe miqësisë midis kombeve të kontinentit.