Lajme Shqip Monday, 26 August 2013 15:01

Tiranë – Sot shënohen 103 vjet nga lindja e humanistes dhe nobelistes shqiptare me famë në të gjithë botën, Nënë Tereza.
Angje Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, u lind në Shkup në 26 gusht të vitit 1910 nga prindër shqiptarë. Që në moshën 12 vjeç kishte dëshirë të bëhej misionare “për të përhapur mesazhin e dashurisë së Krishtit”. Në moshën 18 vjeç hyri në urdhrin e motrave të Notre-Dame de Lorette, në Dublin, që punonte me arkipeshkvinë e Kalkutës.

Nënë Tereza, e veshur gjithnjë me mantelin e bardhë, me shirita blu të urdhërit të Misionareve të Bamirësisë, që ajo kishte ngritur në vitin 1950, kishte zakon të thoshte se vepra e jetës së saj nuk ishte veçse “një pikë lehtësimi në një oqean vuajtjesh”. Por, shtonte ajo, “nëse kjo pikë nuk ekzistonte, ajo do t’i mungonte detit”.

E lidhur me vlerat më tradicionale të Kishës, besimtarja kishte siguruar një ditë se nëse do të kishte jetuar në periudhën e Galileut, ajo do t’i kishte dhënë të drejtë Kishës kundër tij. Ajo kundërshtonte gjithnjë të gjitha format e abortit.

Nëna e saj superiore në Dublin dhe Papa kishin më shumë besim tek ajo, ndaj në fillim të vitit 1948, ajo lejohet të largohet nga urdhëri dhe nga “Motra Agnes” bëhet atëhere “Nënë Tereza”, për nder të shenjtores franceze Sainte-Terese e Lisieux, vendoset në barakat e Kalkutës, në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhërin e saj të murgeshave të quajtur Misionaret e Bamirësisë. Nga ajo kohë iu dedikua tërësisht të varfërve.
Grua e vendosur, e guximshme, pragmatike dhe e pajisur me njohuri të mira për bizneset, një ditë kur po kalonte në Romë, i kërkoi Gjon Palit II një pjesë të pasurive të Vatikanit për të varfërit e saj. Papa i dhuroi makinën e tij Rolls Royce, që ajo e shiti në ankand me një çmim shumë të leverdisshëm. Disa e qortuan se kishte siguruar fonde nga persona pak të pëlqyeshëm, si ish-diktatori haitian Jean-Claude Duvalier.
Në vitin 1979, Çmimi Nobel i Paqes, shpërbleu punën e palodhshme të Nënë Terezës në favor të të varfërve dhe personave që ishin duke dhënë shpirt, duke i dhënë një autoritet botëror asaj që shumë prej adhuruesve e konsiderojnë si një shenjtore.

Nënë Tereza i ka drejtuar një mesazh popullit shqiptar në 30 prill të vitit 1993, gjatë një prej vizitave të saj në atdhe. Mesazhi cilësohet si i pari dhe i fundmi drejtuar popullit shqiptar. “Ju do ta doni Shqipërinë aq sa do të doni njeri tjetrin. Unë do të lutem përherë që shqiptarët të kenë bekimin e Zotit. Dua të lutem për ne, për popullin e varfër të Shqipërisë, për popullin e Kosovës që vuan”, thuhet në mesazhin e humanistes me famë botërore.

“Shenjtore e të varfërve”, Nënë Tereza ndërroi jetë në 5 shtator 1997 në moshën 87 vjeç, pas një gjysmë shekulli shërbim ndaj të braktisurve në Indi dhe në mbarë botën. Ajo prehet në selinë e Urdhërit të Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta. Në vitin 1997, pak para se të ndahej nga jeta, Nënë Tereza kishte 4000 motra, të pranishme në 610 shtëpi misionare, të përhapura në 123 vende të botës.
Gjashtë vjet pas ndarjes nga jeta, u shpall “E Lumturuar” nga Papa Gjon Pali i II, një moment që i ka hapur rrugë shënjtërimit të saj. Kur i thoshin se do të shenjtërohej, ajo thoshte: “Në fillim më lini të vdes”.

Nënë Tereza përkujtohet në Shkup


Në Shkup u shënua 103 vjetori i lindjes së nobelistes shqiptare Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza. Manifestimet përkujtimore vazhdojnë edhe sot përmes disa aktiviteteve përkujtimore.
Një manifestim qëndror u mbajt dje para Shtëpisë Përkujtimore të Nënës Terezë në Shkup, ku u shfaq intervista që ajo pati dhënë në Irlandë në vitin 1974, ku fliste për jetën e saj, fillimet dhe punën si misionare.
Ngjarja u pasurua me një ankand pikturash të cilat janë dhuratë e artistit Majkll Kllos, dhe që do të vazhdojë gjatë javës, ndërsa paratë do të destinohen për qëllime humanitare.
“Planifikuam dorëzimin solemn të një donacioni që Shtëpia përkujtimore kishte fatin ta siguronte nga piktori dhe artisti i famshëm kanadez Majkll Kllos i cili i dhuroi Shtëpisë përkujtimore gjithsej 111 vepra miniaturë dhe 11 piktura në pëlhurë, me ciklin Nëna Tereza, frymëzuar nga inspiruar nga mbrojtësja jonë. Në prezantim do të jetë i pranishëm edhe Majkll Kllos”, theksoi Renata Zdravkovska – Drejtoreshë në Shtëpinë përkujtimore “Nënë Terezë”.
Nga Shtëpia përkujtimore paralajmëruan se një kolegia e tyre shqiptare brenda dy muajve do të udhëtojë në Kalkutë, dhe nga ajo vizitë pritet të sjellë akoma më shumë artefakte nga vendet ku ka punuar Nëna Tereza. Edhe këtë vit nga Ministria e Kulturës do të ndahet çmimi shtetëror “Nënë Tereza” për personalitetet shtetërore apo qytetare.
Humanistja dhe nobelistja shqiptare lindi më 26 gusht 1910 në Shkup në familjen e mirënjohur Bojaxhiu. /BW/INA/