Lajme Shqip Wednesday, 09 April 2014 12:10

Giorgios Taracas, është kryegardiani i burgut të Malandrinos i cili është marrë në pyetje ditën e djeshme nga hetuesit e ngjarjeshorror të ndodhur në burgun e Nigritas në Greqi. Personi që drejton sektorin e sigurisë së brendshme në burgun ku ndodhi vrasja e vartësit të tij, akt që e kreu Kudret Kume, mësohet se ka dëshmuar për orë me radhë para prokurorëve të Serresit, ndërsa po dje në gjykatën e këtij qyteti ka nisur seanca maratonë e vleftësimit të masës së sigurisë për 15 gardianët e Nigritas, ndër ta edhe vetë kreu i këtij burgu. Referuar të dhënave që vijnë nga Greqia, bëhet me dije se është përcaktuar që deri orëve të pasdites së djeshme të përfundohej seanca e parë gjyqësore ndaj 8 prej personave që prokuroria i ka të dyshuar si të përfshirë në skandalin e drejtësisë greke, ndërsa pritet që pjesa tjetër të dëshmojnë ditën e premte. 

Seancat mësohet se janë bërë me dyer të mbyllura dhe nën masa të rrepta sigurie, aq sa asnjë e dhënë nuk është bërë publike. Një tjetër fakt që ka bërë të mundur mbylljen e informacionit në lidhje me shqyrtimin e djeshëm gjyqësor, ka qenë edhe një grevë ditore e medies, ç`ka ka lënë krejtësisht  jashtë vëmendjes së opinionit publik ndoshta ngjarjen më të rëndë të ndodhur në dy dekada në burgjet e shtetit helen. Prokuroria ka mbledhur prova të frikshme të torturave që kanë ushtruar gardianët grekë, të cilët thuhet se me gjakun e Kumes spërkatën edhe muret e qelisë. I vetmi ndëshkim që pritet të marrin pjesa më e madhe e të dyshuarve është largimi nga puna e vrasësve. 

Dëshmia 

Në dosjen për hetimin e masakrës mbi shqiptarin e burgosur, mësohet se prokuroria e Serresit ka implikuar edhe gardianët e burgut të Malandrinos. Ka qenë raporti mjeko-ligjor i ekspertëve të cilët kanë ekzaminuar ca shenja dhune që sipas ishin kryer 9 ditë para se Kume të vritej. Për këtë fakt është ngritur dyshimi që Kume të jetë dhunuar edhe para se të ndodhte konlikti me gardianin-viktimë. Nga të dhënat që vijnë nga burgu i Malandrinos saktësohet se në të vërtet, Giorgios Taracas ka mohuar në mënyrë kategorike që të ketë ndodhur diçka e tillë në ambientet e Malandrinos, por sipas tij Kume ishte një person që bënte stërvitje nga katër orë në ditë dhe në këtë orar stërvitjeje ushtronte edhe sportin e boksit. Shefi i gardianëve të Malandrinos mësohet të ketë thënë para hetuesve të çështjes se nëse shqiptari Kareli do ishte kthyer në atë burg nuk do të kishte ndodhur kurrë ajo që ndodhi, pavarësisht krimit të rëndë që kreu me gardianin. 

Kryegardiani i Malandrinos mësohet se nuk është marrë në pyetje si person që ka dijeni për rrethanat e krimit të dyfishtë, ndërsa pritet që ditën e premte të dëshmojë edhe drejtori i burgut të Nigritas, një prej urdhëruesve të masakrimit të të burgosurit shqiptar. E ndërsa nga drejtësia greke pritet të hidhet dritë mbi dhunimin deri në marrje jete të shqiptarit, nga ana e palës shqiptare ende nuk është bërë një përpjekje zyrtare për të mësuar të vërtetën e ngjarjes. Raporti mjeko-ligjor i ekspertëve tanë është depozituar në një dosje që do ta hetojë prokuroria e Fierit, ndërsa ende nuk bëhet me dije asnjë e dhënë konkrete se çfarë është konstatuar në aktin barbar që i mori jetën shtetasit tonë. Dosja mbahet nga institucioni i Mjekësisë-Ligjore ndërsa pritet që prokuroria e Fierit të nisi një kërkesë homologëve të Serresit për të mësuar disa hollësi mbi masakrën vdekjeprurëse.