Lajme Shqip Thursday, 08 December 2011 09:40

Prishtinë – Shefi i Misionit të EULEX-it, Xavier de Marnhac ka takuar në Beograd, Presidentin e Serbisë, Boris Tadic.

Sipas njoftimit të dhënë sot nga EULEX, çështja kryesore e diskutimeve ishte nevoja për të përmirësuar ndjeshëm lirinë e lëvizjes në veri të Kosovës. Shefi i misionit theksoi faktin se barrikadat në veri duhet larguar dhe se duhet të ketë qasje të përhershme dhe të pakushtëzuar për të gjithë, përfshirë EULEX-in dhe organizatat ndërkombëtare.

Rikthimi i lëvizjes së lirë është një parakusht absolut për sundim të efektshëm të ligjit në tërë Kosovën.

“Takimi shkoi mirë. Kam ngritur disa çështje të rëndësishme. E mirëpres thirrjen e bërë së fundmi nga Tadiç për largimin e barrikadave në veri të Kosovës. Unë besoj se veprimet do të pasojnë. Është e rëndësishme që të ketë lëvizje të plotë në rrugët e veriut të Kosovës, jo vetëm për EULEX-in dhe KFOR-in, por edhe për popullatën, në mënyrë që ata të mund të vazhdojnë me jetën e tyre të përditshme”, tha Xavier de Marnhac.