Lajme Shqip Wednesday, 23 March 2011 13:32

Tiranë – Zv/Ambasadorja Amerikane, Deborah A. Jones, deklaroi të mërkurën se “ndërsa zgjedhjet e 8 majit po afrojnë, SHBA-të vlerësojnë ushtrimin e së drejtës që qytetarët kanë për të votuar në këto zgjedhje, garën e fushatës mes partive, që përfaqësojnë këndvështrime të ndryshme si  dhe respektim të plotë të procesit zgjedhor në procedurat e vendosura tashmë në Shqipëri”.

Gjatë Konferencës Kombëtare për Qeverisjen Vendore në Shqiperi, Jones ritheksoi edhe deklaratat e Ambasadorit Amerikan Aleksandër Arvizu, dhënë vazhdimisht kohët e fundit, sipas të cilit “këto zgjedhje zhvillohen për të ardhmen e Shqipërisë”.

Lidhur me mbështetjen e ofruar bashkive në të gjithë vendin nga Programi i USAID-it, zv.ambasadorja deklaroi se “përcasja e këtij projekti ishte edhe për pëfshirjen e organizatave joqeveritare grupe qytetarësh si dhe sektorin privat në këtë projekt”.

Sipas saj, kjo përqasje pjesëmarjeje ndaj qeverisjes vendore, i përfshin qytetarët në çështje që ndikojnë në komunitetin e tyre, ç’ka është themelore për demokracinë.

“Qeveria e SHBA-ve vazhdon të mbështesë procesin e decentralizmit në Shqipëri duke përfshirë forcimin e kuadrit ligjor dhe forcimin e kompetencave të qeverisjes vendore për të planifikuar dhe menaxhuar burimet financiare pavarësisht nga qeverisja qëndrore”, tha Jones.

Ajo vuri në dukje se njësitë e qeverisjes vendore do të mund të funksionojnë vetëm përmes autonomisë së plotë fiskale dhe të përfaqësojnë gjithë komunitetin që përfaqësojnë.

Zv.ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Deborah A. Jones përfundoi duke theksuar se “është në interes të të gjitha njësive të qeverisjes vendore, që transfertat buxhetore shtetërore të zhvillohen në një mjedis transparent dhe konkurues”.