Lajme Shqip Monday, 28 September 2015 19:18

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, u takua të hënën në New York me zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit të SHBA-ve për Çështje të Evropës dhe të Euroazisë, Hoyt Yee.

Në takim, ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku.

Zyra e kryeministrit njofton se Mustafa ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin e gjithanshëm të vendit dhe proceset integruese euroatlantike, e po ashtu ka shprehur mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për përkrahjen e gjithanshme që SHBA-të po japin për Kosovën, duke theksuar përkushtimin e Kosovës për zgjerimin e mëtejshëm të partneritetit me SHBA-të, transmeton Telegrafi.

Sipas komunikatës kryeministri Isa Mustafa po ashtu kërkoi mbështetjen e SHBA-ve për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, anëtarësimin në UNESCO dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit i SHBA-ve për Çështje të Evropës dhe të Euroazisë, Hoyt Yee, vlerësoi progresin që po arrihet në Kosovë, duke theksuar përkrahjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën.

Yee po ashtu e përgëzoi Qeverinë e Kosovës për konstruktivitetin e treguar në kuadër të proceseve rajonale.

Zëvendës ndihmës sekretari Yee gjithashtu shprehu vlerësimet e tij për angazhimin e Kosovës në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave dhe avancimin e proceseve integruese euroatlantike, duke shprehur përkrahjen e SHBA-ve në këtë rrugë.

Kryeministri Mustafa dhe zëvendës ndihmës sekretari Yee biseduan edhe për modalitetet e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK) si dhe përfundimin e mandatit të EULEX-it.