Lajme Shqip Monday, 24 August 2015 08:32

Përfaqësuesi i SHBA-ve në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ambasadori David Pressman, e ka quajtur Amerikën ‘një mik të palëkundur dhe mbështetës të Republikës së Kosovës’.

Ai ka përgëzuar Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës për kalimin e amendamentit kushtetues dhe ligjin për të krijuar Gjykatën Speciale, duke nënvizuar se ‘votimi nuk ishte i lehtë politikisht, por ishte një hap i madh përpara në përmbushjen e angazhimeve ndërkombëtare të Kosovës’.

“Kosova kurrë më pjesë e Serbisë”

I pajisur me kredon politike të partisë që ishte kyç i votimit për themelimin e Gjykatës Speciale, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, duke e shikuar drejt në sy homologun Ivica Daçiq i tha atij para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit se “Kosova më kurrë nuk do të jetë pjesë e Serbisë dhe Serbia kurrë më nuk do të kthehet në Kosovë”.

Ishte kjo përgjigja e Thaçit ndaj një diskutimi nacionalist që evokonte periudhën kur diplomati i tashëm Daçiq ishte zëdhënës i partisë në pushtet të regjimit serb, shefi i së cilës do të fajësohej dhe akuzohej për krime dhe nisjen e tri luftërave dhe shkaktimin e qindra mijëra viktimave në territorin e ish Jugosllavisë, për të gjetur më vonë vdekjen i vetmuar dhe i urryer në një qoshe të dhomës së burgut në Hagë.

“Duhet kompromis mbi çështjet ende pezull”

Duke aluduar në fjalimin e Daçiqit, në diskutimin e tij edhe ambasadori amerikan tha se ‘duhet të marrë fund lloji i retorikës nacionaliste që e dëgjuam sot në Këshillin e Sigurimit’.

Ai shtoi se duhet shtrënguar duart e pajtimit midis Serbisë dhe Kosovës dhe se në dialogun e deritashëm në Bruksel po shënohej progres edhe pse, tha ai, ‘toni i diskutimit të sotëm nuk e vërtetoi këtë’.

“Ne presim një rezultat pozitiv në raundin e ardhshëm të dialogut më 25 gusht. Kompromisi mbi këto çështje, ndonëse i vështirë, mbetet thelbësor për avancimin e aspiratave të Kosovës dhe Serbisë për integrimin e mëtejmë në institucionet evropiane dhe transatlantike”, tha Pressman.

Çështjet për të cilat duhej kompromisi sipas ambasadorit amerikan ishin ‘asociacioni i komunave serbe,energjia, telekomunikacioni dhe lëvizja e lirë në urën e Mitrovicës’. /rtk/