Lajme Shqip Tuesday, 26 July 2011 22:21

Prishtinë – Kanë reaguar edhe SHBA-të për zhvillimet më të fundit në Kosovë.

Në deklaratën zyrtare të Departamentit të Shtetit thuhet se SHBA-të ndjejnë keqardhje që veprimi i mbrëmshëm i Qeverisë së Kosovës për të marrë kontrollin e pikëkalimeve kufitare në veri të Kosovës, nuk ka qenë në koordinim me komunitetin ndërkombëtar.

“Ne iu bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të vazhdojnë të punojnë urgjentisht drejt një de-eskalimi të situatës së tanishme. SHBA-të i përshëndesin fuqishëm veprimet e KFOR-it për ta de-eskaluar situatën dhe që punuan drejt krijimit të një ambienti të qetë dhe të sigurt, dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim KFOR-in dhe aktorët tjerë ndërkombëtarë në këtë detyrë”.

Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga përdorimi i dhunës.

“Lëvizja e lirë e mallrave në mes të Serbisë dhe Kosovës duhet të adresohet në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Veprimet e njëanshme nga të dyja palët – vendosjen e njëanshme të embargos nga ana e Serbisë ndaj mallrave të Kosovës në vitin 2008, si dhe vendimi i fundit i Kosovës për masa reciprociteti pasi të dyja palët dështuan të arrijnë marrëveshje mbi normalizimin e doganave– kanë rezultuar në këtë rrugë qorre”.

“Ne kemi besim në menaxhmentin e BE-së të përfshirë në dialog dhe kërkojmë nga të dyja palët të kthehen në tavolinën e negociatave menjëherë. Ne presim që Kosova dhe Serbia, përmes dialogut, të krijojnë kushte pozitive dhe reciproke që mundësojnë lëvizjen e lirë si për njerëzit ashtu edhe për mallrat në mes të Kosovës dhe Serbisë”.