Lajme Shqip Tuesday, 06 September 2011 08:15

Tiranë – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, duke pranuar se SHBA nuk komenton deklaratat e Wikileaks, pasi sipas tij këto çështje janë të ndëshkueshme me ligj, siguroi se SHBA do të mbështesë shqiptarët në aspiratën e tyre për të ecur përpara.

Arvizu tha se, “ka diçka që është raportuar gjatë dy ditëve të fundit në Shqipëri dhe me komentet e bëra nuk jam ndierë mirë. Ka lidhje me disa përshkrime e komente që kanë etiketuar njerëzit si spiunë ose si informator. Për ata njerëz që flasin në këtë formë dhe mendojnë se veprojnë në këtë mënyrë më duhet të them se jam shumë i zhgënjyer, sepse kisha menduar se ditët e sigurimit i kishim lënë pas”, deklaroi Arvizu.

Më tej ai u shpreh se, “ata njerëz që kanë kthyer kokën pas, nuk do të jenë personat që kanë për t’a shtyrë përpara dhe për t’a drejtuar këtë vend”.

“Nëse kam besim të plotë për diçka, gjatë periudhës time këtu, është që të gjithë njerëzit në këtë vend duan që Shqipëria të ecë përpara dhe SHBA do të jenë aty për të mbështetur popullin tuaj”, përfundoi ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu.