Lajme Shqip Friday, 05 August 2011 17:26

Prishtinë – “Shtetet e Bashkuara e mirëpresin arritjen e pajtueshmërisë nga KFOR-i me të dyja qeveritë, atë të Kosovës dhe atë të Serbisë. E vlerësojmë faktin se Beogradi dhe Prishtina kanë ushtruar durim dhe gatishmëri për të qetësuar situatën, derisa zhvilloheshin diskutimet për këtë pajtueshmëri”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Zv/ndihmësi i Sekretares Amerikane të Shtetit, Thomas Countryman.

Ai e ka falënderuar KFOR-in, “i cili ka bërë një punë të jashtëzakonshme në dy javët e fundit, në përmbushjen e mandatit të tij, për të ruajtur një ambient të qetë dhe të sigurt në Kosovë”. Duam ta falënderojmë gjithashtu, ka shtuar Countryman, Bashkimin Evropian për kontributin e tij të rëndësishëm rreth kësaj pajtueshmërie dhe në qetësimin e situatës.

Sipas tij, “kjo arritje e pajtimit mundëson disa gjëra – qetëson situatën mes palëve, që është thelbësore për ruajtjen e ambientit të qetë dhe të sigurt në Kosovë; i lejon jo vetëm KFOR-it, por edhe gjithë njerëzve në Kosovë lirinë e qarkullimit, që është parim thelbësisht i rëndësishëm, si për Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe për Bashkimin Evropian, dhe është në pajtim me nevojën për të vendosur sundimin e ligjit në mbarë Kosovën”.