Lajme Shqip Saturday, 16 July 2011 19:39

Tiranë – Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Thomas Kantrimen, tha sot se komuniteti ndërkombëtar do ta ndihmojë Shqipërinë që zgjedhjet e ardhshme të jenë të pastra, të besueshme dhe të zhvilluara në bazë të rregullave të përcaktuara para zgjedhjeve.
     Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Kantrimen tha se “një angazhim të tillë, duhet ta kenë më parë vetë udhëheqësit shqiptarë”.
     “Ne presim nga të dyja partitë politike në Shqipëri që me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara, të hartojnë rregulla zgjedhore, të cilat të jenë në të mirë të popullit dhe jo në të mirë të njerëzve dhe partive të caktuara”, tha Kantrimen.
     Sipas zyrtarit të lartë amerikan, “mjetet për ta bërë këtë ekzistojnë, pasi është Komisioni i Venecias dhe ODIHR-i”. Ai theksoi se “nëse të dyja partitë janë të gatshme të pranojnë një rol aktiv të këtyre dy organizmave, atëherë nuk ka pse të mos jemi në gjendje të realizojmë një kod të qartë elektoral”.
     Sipas Kantrimen, “Shqipëria ka një Kushtetutë dhe në shoqëritë demokratike, Kushtetuta dhe institucionet që ajo krijon janë garantuesit e lojës së ndershme në procesin politik”.
     “Komuniteti ndërkombëtar nuk mund të zëvendësojë Kushtetutën. Ne mund të ndihmojmë për të krijuar një situatë, në të cilën politikanë të pjekur nga të dyja partitë të flasin me njëri-tjetrin me mirësjellje, të ulen në të njëjtën dhomë dhe të bëjnë kompromise, kompromise të rekomanduara ndoshta nga komuniteti ndërkombëtar dhe kjo do të përfshinte edhe ligje për zgjedhjet”, vijoi Kantrimen.
     Komuniteti ndërkombëtar mund të ndihmojë, tha më tej Kantrimen, ndërsa shtoi se “vlerësimi dhe zgjidhja duhet të vijnë nga brenda Shqipërisë”.