Tiranë – Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, pas një takimi me ministrin e Jashtëm shqiptar, Edmond Haxhinasto tha se SHBA mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Pas takimit në selinë e MPJ-së, në një prononcim për mediat ambasadori Arvizu e konsideroi procesin e integrimit si një hap tepër të rëndësishëm për vendin tonë, ndërsa theksoi se është i nevojshëm uniteti mes faktorëve politikë në mënyrë që të plotësohet standartet e kërkuara.
Nga ana e tij ministri Haxhinasto tha për gazetarët se ne kemi mbështetjen e plotë të partnerëve europianë, por dhe të SHBA-së, që mbështesin në mënyrë të pakushtëzuar integrimin e plotë të Shqipërisë në BE.
Për këtë qëllim sipas Haxhinastos është i domosdoshëm hartimi i një pakti kombëtar për integrimin e vendit në BE.
Ai gjithashtu theksoi se një pikë tjetër e takimit me ambasadorin Arvizu ishte dhe plotësimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet në Shqipëri.