Lajme Shqip Friday, 22 July 2011 12:34

Prishtinë – Zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Thomas Countryman, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndalimin e importeve nga Serbia ishte rrjedhojë e bllokadës së mëhershme tregtare që Serbia kishte vendosur kundruall Kosovës.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Countryman tha se Shtetet e Bashkuara do të dëshironin të shihnin një qasje legale të të dyja palëve ndaj kësaj çështjeje.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se Qeveria e Kosovës ishte e detyruar të vendosë masa të ndërsjella në marrëdhëniet tregtare me Serbinë.

Countryman ka thënë se nuk do të dëshironin të shihnim një qasje të tillë, por të njëjtën kohë ka thënë se duhet të shihet e vërteta se Serbia ka filluar një bllokadë të tillë ndaj mallrave të Kosovës para më shumë se dy vjetësh.

“Edhe ajo bllokadë është jolegale kundruall marrëveshjes për tregti të lirë në Evropën Qendrore, të cilën Beogradi e ka nënshkruar vjet më parë dhe nuk lejon bllokadë të tillë as nga ana e Serbisë e as nga ana e Kosovës. Duam të shohim thjesht një qasje legale të të dyja palëve”, ka thënë ai.

Zyrtari i lartë amerikan tha se edhe shtyrja e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për muajin shtator, ka të bëjë me çështjen e bllokadës.

“Vendimi për të anuluar bisedimet e kësaj jave ishte rrjedhojë e mosgatishmërisë së Qeverisë së Serbisë që të heqë bllokadën ndaj mallrave të Kosovës dhe për këtë arsye nuk kishte mundësi për marrëveshje të reja gjatë kësaj javem”, ka thënë Countryman.

Megjithatë, ai ka thënë se SHBA-të janë optimiste se edhe Serbia edhe Kosova, mund të gjejnë zgjidhje praktike për çështjet e jetës së përditshme.

Ai ka theksuar se është shumë e rëndësishme që Beogradi të përmbushë reformat e brendshme dhe të ketë marrëdhënie sa më të mira më fqinjët, por, sipas tij, po aq e rëndësishme është për evropianët që një vend që synon statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian të përmbushë detyrimet e tij.

Zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit ka thënë se ishte shembull shumë negativ që Beogradi tash dy vjet e gjysmë i shkelë detyrimet ndaj CEFTA-s.