Lajme Shqip Friday, 12 August 2011 14:52

Prishtinë – Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nënshkruan një marrëveshje me të cilën do të plotësohet dhe ndryshohet marrëveshja e arritur në vitin 2009, për programin në fushën e sundimit të ligjit, duke siguruar kështu fonde shtesë në shumën prej mbi 7 milionë dollarë.

Kjo marrëveshje u nënshkrua sot nga zv/kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe zëvendës-shefi i misionit në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Michael J. Murphy, bëjnë të ditur burime zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë të Qeverisë së Kosovës.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, zv/kryeministri Kuçi shprehu falënderimet e Qeverisë së Kosovës për ndihmën e vazhdueshme që shteti amerikan ka dhënë dhe po jep për sundimin e rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës dhe premtoi që kjo ndihmë do të shfrytëzohet për të mirën e rendit dhe ligjit në Kosovë, duke u bazuar në standardet më të larta ndërkombëtare.

 

Ndërsa, zv.shefi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Murphy, tha se shteti amerikan është i përkushtuar për të vazhduar partneritetin dhe të ndihmojmë Kosovën në ndërtimin e sundimit të ligjit dhe institucioneve për sundimin e ligjit.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje synon mbështetjen e prioriteteve strategjike të Misionit të SHBA-ve për zhvillimin e sundimit të ligjit në Kosovë.