Lajme Shqip Wednesday, 17 August 2011 17:47

Prishtinë – Kryeministri Hashim Thaçi mori rikonfirmimin zyrtar të SHBA-ve në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, bëhet e ditur pas një takimi sot në Prishtinë të kyeministrit HashimThaçi me zv/ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Philip Reeker.

Sipas burimeve zyrtare të qeverisë, në takim është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-të po i japin Kosovës në të gjitha fushat dhe për tema tjera me interes.

Kryeministri Thaçi në takim ka prezantuar prioritetet e qeverisë së Republikës së Kosovës për shtrirjen e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, me theks të veçantë në pjesën veriore të vendit, ku prej  12 vitesh mbizotëron krimi i organizuar, kontrabanda dhe dukuritë tjera negative, nga strukturat kriminale në atë pjesë të vendit.

Me këtë rast, kryeministri Thaçi theksoi se vendimi i qeverisë së Kosovës për vënien e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në pikat kufitare 1 dhe 31 dhe në tërësi në pjesën veriore të Kosovës është një vendim legjitim, i bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në Pakon e Presidentit Ahtisaari dhe, mbi të gjitha, i bazuar në domosdoshmërinë e sundimit të rendit, ligjit dhe ndaljes së kontrabandës e krimit të organizuar në atë pjesë të territorit të vendit. “Ky vendim ka krijuar rrethana të reja, realitetin e ri, situatën e re, një kapitull të ri, atë të rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, tha Kryeministri Thaçi.

“Në koordinim të plotë me partnerët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, ne do të vazhdojmë përkushtimet tona për të përmbyllur me sukses të plotë kapitullin e ri të vendosjes së ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në pjesën veriore të vendit. Kjo është në të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallime etnike, është në të mirën e zhvillimit ekonomik, të integrimit, të paqes dhe të stabilitetit në rajon. Në këtë drejtim nuk do të ketë kthim prapa”, theksoi kryeministri Thaçi.

Më tej, në komunikatë theksohet se zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Philip Reeker, ritheksoi qëndrimin zyrtar të SHBA-ve në mbështetje të vendosjes së sundimit të rendit dhe ligjit në veriun e Kosovës.

Reeker tha se sovraniteti dhe integriteti i Kosovës është shumë i qartë dhe ajo që duhet të fokusohemi është vullneti për vendosjen e sundimit të ligjit në veri dhe në zbatimin e Planit të Presidentit Ahtisaari.

“Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur dhe ka të drejtë legjitime që të shtrijë autoritetin e vet në gjithë territorin e vendit”, u shpreh z. Reeker, pas takimit me kryeministrin Hashim Thaçi.

Sipas axhendës së njoftuar nga Ambasada e SHBA në Kosovë, ndihmës sekretari smerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Philip T. Reeker, pasdite pritet te takohet me zyrtarët e lartë të Kishës Ortodokse Serbe në Manastirin e Graçanicës.