Lajme Shqip Monday, 22 August 2011 17:22

Tiranë – Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i bëri thirrje të hënën klasës politike shqiptare që të nisë dialogun për reformën zgjedhore dhe plotësimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 8 majit.

Deklarata e Arvizut u bë sot në një prononcim për mediat, pas një takimi zhvilluar në ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Duke u ndalur në raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 8 majit, Arvizu tha se raporti ishte tërësor, i plotë dhe i qartë.

Sipas tij, pas publikimit të tij i mbetet klasës politike shqiptare për plotësimin e rekomandimeve, për të cilat kërkohet bashkëpunim dhe dialog politik.

Arvizu theksoi se ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë të domosdoshme, pasi OSBE-ja ka shprehur disa herë shqetësimin për përmirësimin e Kodit Zgjedhor, që aktualisht vlerësohet me një sërë boshllëqesh.